Prokuroria Themelore në Pejë kishte ngritur aktakuzë për kanosje ndaj Jeton Sylajt, ish-bashkëshortit të Arlinda Sylaj Zekajt, më 23 tetor 2026, dy ditë para se Arlinda të vritej nga i dyshuari Albert Sylaj, kunati i saj.
Sipas aktakuzës së siguruar nga Dukagjini, Arlinda kishte raportuar në Polici më 10 korrik 2026 se ndihej e rrezikuar nga ish-bashkëshorti, duke pretenduar se ai e kishte kërcënuar me vrasje, e kishte dëbuar nga shtëpia dhe e kishte fyer vazhdimisht. Ajo kishte deklaruar gjithashtu se gjatë martesës kishte përjetuar dhunë psikike dhe fizike, përfshirë edhe gjatë kohës kur familja kishte jetuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në aktakuzë përshkruhen deklaratat e Arlindës, raportet policore, bisedat me djalin e tyre të mitur dhe deklarimi i Jeton Sylajt para prokurorit, në të cilin ai pranoi se ia kishte thënë ish-bashkëshortes fjalët kërcënuese, por pretendoi se këtë e kishte bërë për shkak të shqetësimit për djalin.
Arlinda raportoi kërcënimet dhe tha se ndihej e rrezikuar
Në deklaratën e dhënë në Stacionin Policor në Pejë më 10 korrik 2026, Arlinda kishte treguar se ishte e martuar me Jeton Sylajn prej rreth 13 vjetësh dhe se nga kjo martesë kishin një djalë 12-vjeçar.
Sipas deklaratës së saj, familja kishte jetuar rreth 11 vjet në Amerikë, ndërsa në vitin 2024 ajo ishte kthyer në Kosovë së bashku me djalin, ku kishin ndërtuar një shtëpi në fshatin Vitomiricë. Jetoni, sipas saj, kishte vazhduar të punonte në Amerikë dhe të udhëtonte herë pas here ndërmjet dy vendeve.
Arlinda kishte thënë se gjatë jetesës në Amerikë kishte përjetuar dhunë psikike dhe fizike nga bashkëshorti, të cilën, sipas deklaratës së saj, e kishte raportuar edhe atje. Ajo kishte thënë se Jetoni e kishte detyruar të merrte një kredi prej nëntë mijë eurosh për nevojat e tij.
Për ngjarjet e dhjetorit të vitit 2025, Arlinda kishte deklaruar se Jetoni e kishte telefonuar dhe i kishte kërkuar të largohej nga shtëpia, duke e kërcënuar dhe fyer.
“Kam me të mbyt, kam me të ngre zhag, as ushtria s’ka me mujt me të hek nga dora ime”, kishte deklaruar Arlinda se i kishte thënë Jetoni, sipas aktakuzës.
Ajo kishte shtuar se ai e kishte fyer edhe me fjalët “kurvë”, “kudër” dhe “rrugaqe”, si dhe i kishte thënë se do të flinte në rrugë dhe nuk do ta shihte më djalin nëse ai ishte gjallë.
Sipas deklaratës së saj, pas largimit nga shtëpia, ajo kishte marrë djalin dhe ishte kthyer në Vitomiricë. Aty, sipas saj, Jetoni ia kishte nxjerrë rrobat në oborr dhe ua kishte vënë flakën, ndërsa pamjet e këtij veprimi ia kishte dërguar asaj. Arlinda kishte thënë se videon e ruante dhe ishte e gatshme ta dorëzonte në Polici si provë.
Ajo kishte sqaruar se, pavarësisht konflikteve, nuk e kishte ndaluar djalin të vizitonte gjyshen dhe familjarët e babait. Megjithatë, sipas saj, pasi Aniku kishte shkuar të qëndronte te familja e babait më 20 qershor 2026, ai e kishte bllokuar në telefon dhe në rrjetet sociale, ndërsa ajo dyshonte se kjo kishte ndodhur nën ndikimin e familjarëve të Jetonit.
Në deklaratën e saj, Arlinda kishte thënë se ndihej e rrezikuar nga Jetoni dhe kishte kërkuar ndihmën e Policisë për ta kthyer djalin te vetja. Ajo kishte deklaruar gjithashtu se ish-bashkëshorti posedonte armë zjarri me leje, por se nuk e kishte kërcënuar asnjëherë me armë dhe se nuk e dinte se ku ndodhej ajo.
Arlinda kishte shpjeguar se nuk e kishte raportuar më herët rastin e dhunës, pasi kishte shpresuar se Jetoni do të ndryshonte.
Jeton Sylaj pranoi se e kishte kërcënuar
Në deklaratën e dhënë para Prokurorisë Themelore në Pejë më 23 korrik 2026, Jeton Sylaj kishte thënë se ishte ndarë nga Arlinda rreth një vit më parë, ndonëse nuk ishin divorcuar zyrtarisht.
Ai kishte pretenduar se djali ndihej i rrezikuar nga nëna dhe se nuk dëshironte të shkonte te familjarët e saj. Sipas tij, A., e kishte shprehur këtë dëshirë edhe para Qendrës për Punë Sociale dhe në Ambasadën Amerikane.
Jetoni kishte pranuar se ia kishte thënë Arlindës fjalët “kom me të mbyt, kom me të ngre zhag”, por kishte pretenduar se i kishte thënë në kontekstin e shqetësimit të tij për djalin.
“Është e vërtetë se unë Arlindës i kam thënë fjalët ‘kom me të mbyt, kom me të ngre zhag’, mirëpo të njëjtat ia kam thënë sepse djali im është ndjerë i rrezikuar”, kishte deklaruar ai, sipas aktakuzës.
Jetoni kishte mohuar se e kishte detyruar djalin të mos shkonte te nëna dhe kishte thënë se vendimi i A. ishte vullnet i tij. Ai kishte pretenduar gjithashtu se nuk kishte synuar t’ia mohonte Arlindës të drejtën për t’u takuar me djalin, por se rrethanat kishin ndryshuar për shkak të konfliktit mes tyre.
Në të njëjtën deklaratë, ai kishte thënë se Arlinda nuk duhej të ndihej e rrezikuar prej tij, por se, sipas tij, situata ndryshonte nëse rrezikohej djali. Ai kishte pretenduar gjithashtu se Arlinda ia kishte marrë pasaportën e Kosovës.
Më herët, gjatë marrjes në pyetje në stacionin policor, më 14 korrik, Jetoni kishte zgjedhur të shfrytëzonte të drejtën për të heshtur, duke deklaruar se do të paraqiste qëndrimin e tij para prokurorit.
Prokuroria i vlerësoi deklaratat dhe provat si bazë për aktakuzë
Sipas aktakuzës, Prokuroria kishte administruar disa prova, përfshirë raportet e Policisë, procesverbalet e marrjes në pyetje të Arlindës dhe Jetonit, raportin e bisedës me të miturin, raportin psikologjik dhe një CD me video-incizime.
Në njërin prej incizimeve, sipas përshkrimit në aktakuzë, dëgjohet Jetoni duke folur për vendimin e djalit se ku dëshiron të qëndrojë. Në një tjetër incizim dëgjohet A. duke thënë se nuk dëshiron të shkojë, ndërsa Jetoni i thotë të mos i bëjë presion.
Prokuroria ka vlerësuar se deklaratat e të dëmtuarës, përshkrimi i konfliktit dhe provat e tjera të administruara mbështesnin dyshimin e bazuar mirë se Jeton Sylaj kishte kryer veprën penale të kanosjes, të paraparë në nenin 181 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Në pjesën përfundimtare të aktakuzës, prokurorja e shtetit, Nora Tigani, ka vlerësuar se i pandehuri, me veprimet e tij, kishte realizuar figurën e veprës penale të kanosjes. Prokuroria i ka propozuar gjykatës që, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit.
Si rrethanë rënduese e mundshme, në aktakuzë është përmendur fakti se vepra e dyshuar ishte kryer brenda marrëdhënies familjare. Prokuroria ka bërë të ditur se nuk kishte identifikuar rrethana lehtësuese në momentin e ngritjes së aktakuzës.
Aktakuza ndaj Jeton Sylajt ishte ngritur më 23 tetor 2026. Dy ditë më vonë, më 25 tetor, Arlinda Sylaj Zekaj u vra në Vitomiricë, ndërsa për vrasjen është i dyshuar Albert Sylaj, kunati i saj.
Burimi: Dukagjini




