Sipas njoftimit të Doganës, operacioni është zhvilluar pas pranimit të informatave përmes rrugëve operative, ndërsa kontrolli fillimisht është përqendruar në lokalin afarist dhe më pas është zgjeruar edhe në një banesë në afërsi të biznesit.
“Operacioni fillimisht është përqendruar në kontrollin e lokalit afarist, ndërsa më pas, bazuar në informacionet operative, kontrolli është zgjeruar edhe në një banesë në afërsi të biznesit, e cila shfrytëzohej për fshehjen dhe ruajtjen e telefonave mobilë të kontrabanduar”, thuhet në njoftim.

Gjatë kontrollit, zyrtarët doganorë kanë zbuluar 113 telefona të markave dhe modeleve të ndryshme, përfshirë Apple iPhone, Samsung Galaxy, Xiaomi, Redmi, POCO, Google Pixel, OnePlus dhe Huawei.
“Për të gjithë telefonat e zbuluar, personi përgjegjës nuk ka poseduar dokumentacion që dëshmon origjinën e ligjshme të mallrave, importimin e tyre përmes procedurave të rregullta doganore apo pagesën e detyrimeve përkatëse doganore”, ka njoftuar Dogana.
Si rezultat i operacionit, të gjithë telefonat janë ndaluar, ndërsa ndaj personit të dyshuar janë ndërmarrë veprimet procedurale në përputhje me legjislacionin në fuqi.
“Personi i dyshuar është intervistuar nga zyrtarët kompetentë dhe, me urdhër të prokurorit të rastit, është liruar për t’u proceduar në procedurë të rregullt”, thuhet më tej në njoftim.
Dogana e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e kontrabandës dhe ekonomisë joformale, duke intensifikuar kontrollet e bazuara në informacione operative dhe analiza të rrezikut.
Burimi: RTKLive




