Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin nga detyra të drejtorit të prokurimit në Policinë e Kosovës, ndaj të cilit po zhvillohet një hetim paraprak për dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe konflikt interesi.

Sipas njoftimit të IPK-së, dyshimet lidhen me proceset e prokurimit publik dhe përfshijnë dhjetëra kontrata të realizuara përmes procedurave të negociuara dhe konfidenciale.
Hetuesit janë duke shqyrtuar mënyrën e zhvillimit të këtyre procedurave, vendimmarrjen dhe respektimin e kritereve dhe detyrimeve ligjore nga personat përgjegjës.
Për të garantuar integritetin dhe mbarëvajtjen e hetimit, IPK i ka rekomanduar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës suspendimin e zyrtarit deri në përfundimin e hetimit penal.
Hetimet po zhvillohen në koordinim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, ndërsa IPK ka bërë të ditur se po ndërmerr veprimet e nevojshme për ndriçimin e plotë të dyshimeve.
Për shkak të ruajtjes së integritetit të hetimit, Inspektorati ka njoftuar se në këtë fazë nuk mund të ofrojë detaje të tjera lidhur me rastin.




