Dëshmitë dhe ekspertizat që rrëzuan akuzën për vrasjen e trefishtë në Gllogjan – Insajderi sjell detajet e aktgjykimit lirues

Dëshmitë dhe ekspertizat që rrëzuan akuzën për vrasjen e trefishtë në Gllogjan – Insajderi sjell detajet e aktgjykimit lirues

Dëshmitë dhe ekspertizat që rrëzuan akuzën për vrasjen e trefishtë në Gllogjan – Insajderi sjell detajet e aktgjykimit lirues

Gjykata Themelore në Pejë ka dhënë në detaje arsyet që e çuan trupin gjykues drejt lirimit nga akuza për vrasjen e trefishtë të Kastriot dhe Kreshnik Mehmetajt, si dhe babait të tyre, Halil Mehmetaj, në rastin e sulmit ndaj autobusit në Gllogjan, më 26 nëntor 2021.

Sponsor 3M Express

Në aktgjykimin e plotë, të cilin e ka siguruar Insajderi, përshkruhet vlerësimi i provave, dëshmive dhe ekspertizave mbi të cilat gjykata e mbështeti vendimin lirues.

Sulmi me armë zjarri ndaj autobusit të kompanisë “Erblini” përfundoi me vdekjen e shoferit Gani Gjokaj dhe dy nxënësve, Genta Mustafaj dhe Ledion Hamzaj. Në këtë sulm mbeti i plagosur rëndë edhe nxënësi Fliant Turkaj.

Prokurorja e Shtetit, Sahide Gashi, mbrojtësi i viktimave, Demë Hasanaj, dhe avokati Arianit Koci, që përfaqësonte palën e dëmtuar, kishin kërkuar dënim me burgim të përjetshëm për tre të akuzuarit.

Megjithatë, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Leon Përlaska vlerësoi se Prokuroria nuk arriti ta dëshmojë fajësinë e tyre përtej dyshimit të arsyeshëm.

Në arsyetimin e vendimit, gjykata iu referua parimit In Dubio Pro Reo, sipas të cilit, në rastet kur mbetet dyshim për fajësinë, ai duhet të interpretohet në favor të të pandehurit.

Dëshmitarët nuk arritën ta identifikonin sulmuesin

Një nga arsyet kryesore të lirimit ishte mungesa e identifikimit të autorit të sulmit nga personat që ndodheshin në autobus dhe dëshmitarët e tjerë.

Gjatë procesit gjyqësor u dëgjuan nxënësit që kishin qenë në autobus, përfshirë B.H, A.B, A.Z, B.M dhe E.O.

Po ashtu, dëshmoi N.Zh, e cila pak para sulmit kishte kaluar me veturë në atë rrugë dhe kishte parë një person të veshur me të zeza, me kapelë, skaj rrugës.

Por, asnjëri prej tyre nuk arriti ta identifikonte personin që kishte shtënë në drejtim të autobusit.

Përshkrimet e dhëna për autorin, si një person i ri ose i moshës mesatare, me trup vital dhe gjatësi rreth 1.80 metra, gjykata i vlerësoi si tepër të përgjithshme për të shërbyer si identifikim.

Sipas aktgjykimit, këto karakteristika mund t’i përshtaten një numri relativisht të madh të njerëzve.

Dëshmitarët kishin deklaruar se pas të shtënave, sulmuesi ishte larguar në këmbë në drejtim të fshatit Shaptej. Askush nuk kishte parë që ai të largohej me ndonjë veturë.

Vetura Toyota nuk u dëshmua se ishte e familjes Mehmetaj

Një pjesë e rëndësishme e akuzës së Prokurorisë lidhej me pretendimin se Kreshnik Mehmetaj kishte përdorur një veturë Toyota të bardhë për ta larguar vëllanë e tij, Kastriotin, nga vendi i ngjarjes.

Prokuroria ishte mbështetur në dëshmitë e V. dhe E.D, të cilët kishin thënë se e kishin parë Kreshnikun pranë marketit “24 Marsi”, rreth 664 metra larg vendit të sulmit, më shumë se një orë pas ngjarjes.

Por, gjykata nuk i konsideroi bindëse këto dëshmi.

Pamjet e kamerave të sigurisë të marketit nuk e kishin regjistruar Kreshnik Mehmetajn. Për më tepër, gjykata gjeti mospërputhje në deklaratat e V.D, i cili fillimisht kishte përshkruar veturën si të bardhë dhe veshjen e Kreshnikut me disa ngjyra, ndërsa më vonë kishte dhënë përshkrime të tjera.

Edhe dëshmitari E.D nuk kishte arritur të konfirmonte me siguri se kush ndodhej në veturë.

Një tjetër element që ndikoi në vlerësimin e gjykatës ishte identifikimi i një Toyota-je të bardhë në kamerat e tjera të sigurisë në fshat. Ajo kishte targa 03-520-AG, të cilat nuk i përkisnin familjes Mehmetaj.

Ndërkaq, vetura e Kreshnik Mehmetajt, me targa 03-126-DU, sipas dëshmisë së automekanikut N. M dhe komunikimeve telefonike, atë natë ndodhej në servis në Gjakovë për ngjyrosje. Ajo ishte marrë vetëm më 27 nëntor, një ditë pas sulmit.

Ekspertët në Kosovë dhe Zvicër nuk gjetën përputhje balistike

Një tjetër pikë e rëndësishme e aktgjykimit lidhet me ekspertizat balistike të një fisheku të gjetur gjatë bastisjes në shtëpinë e Halil Mehmetajt.

Fisheku, i shënuar si H#1.3, ishte i goditur nga gjilpëra e armës, por nuk ishte shkrepur.

Eksperti i Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, Lutfi Rraci, dhe eksperti i Institutit të Forenzikës në Cyrih, Martin Lory, kishin arritur në përfundimin se nuk kishte karakteristika të mjaftueshme individuale për të përcaktuar nëse fisheku ishte goditur nga e njëjta armë prej së cilës ishin shkrepur tri gëzhojat e gjetura në vendin e sulmit.

Prokuroria më pas e kishte dërguar fishekun për ekzaminim në Institutin Shkencor të Tiranës. Eksperti Nikolin Duraj kishte pretenduar se kishte gjetur përputhje.

Por, gjykata nuk e pranoi këtë përfundim si të besueshëm.

Sipas arsyetimit, raporti kishte mangësi në dokumentimin e procesit të ekzaminimit, përzgjedhje subjektive të fotografive dhe ishte në kundërshtim me rezultatet e ekspertizave të Kosovës dhe Zvicrës.

Edhe 13 gëzhojat e gjetura në vendin e quajtur “Maja e Rusolisë – Gropa”, në bjeshkët e Pejës, nuk u lidhën me armën e përdorur në sulm.

Ato ishin gjetur në një lokacion ku Kreshnik Mehmetaj kishte filmuar veten duke shtënë në shenjë me një armë automatike të tipit ASH-78. Megjithatë, ekzaminimi mikroskopik dhe analizimi përmes sistemit IBIS treguan se gëzhojat ishin shkrepur nga një armë tjetër.

Alibia e vëllezërve dhe distanca deri te vendi i sulmit

Për kohën e sulmit, gjykata shqyrtoi edhe dëshmitë lidhur me vendndodhjen e të akuzuarve.

Për Halil Mehmetajn nuk ishte kontestuar se në atë kohë ndodhej në një lokal të fshatit, në praninë e disa bashkëfshatarëve.

Ndërsa për Kastriotin dhe Kreshnikun kishte dëshmuar fqinji i tyre, B. H. Ai kishte deklaruar se atë mbrëmje kishte qenë në shtëpinë e familjes Mehmetaj për të blerë pjesë traktori dhe ishte larguar rreth orës 18:10.

Sulmi ndaj autobusit kishte ndodhur rreth orës 18:58.

Sipas ekspertizës gjeodezike, distanca rrugore nga shtëpia e familjes Mehmetaj deri te vendi i krimit ishte 1 mijë e 334.88 metra.

Gjykata vlerësoi se kjo distancë mund të përshkohej në këmbë brenda 48 minutash. Megjithatë, mundësia teorike që vëllezërit të arrinin në vendin e sulmit nuk u konsiderua provë se ata e kishin bërë këtë.

Në aktgjykim thuhet se nuk kishte prova apo dëshmitarë që i kishin parë Kastriotin dhe Kreshnikun duke dalë nga shtëpia në drejtim të vendit të ngjarjes.

Telefonatat dhe mesazhet nuk e dëshmuan përfshirjen e tyre

Prokuroria kishte analizuar edhe komunikimet telefonike të të akuzuarve, përfshirë të dhënat e siguruara nga kompania Viber në Luksemburg.

Sipas këtyre të dhënave, numrat e të pandehurve nuk kishin aktivitet rreth orës 18:50, në kohën kur kishte ndodhur sulmi.

Hetuesit policorë këtë mungesë aktiviteti e kishin interpretuar si përpjekje për të fshehur komunikimet. Por, gjykata vlerësoi se një përfundim i tillë ishte spekulativ.

Në vëmendje të Prokurorisë ishte edhe një telefonatë 15-sekondëshe ndërmjet Kreshnikut dhe Kastriotit, rreth orës 19:22, si dhe një SMS i fshirë në orën 21:14.

Të akuzuarit kishin dhënë shpjegime për këto komunikime, duke përmendur ndër të tjera ngrohjen e ujit për pastrimin e makinës së mjeljes së lopëve dhe ardhjen e nipit të tyre, B.Dodaj.

Gjykata kishte vërejtur mospërputhje në deklaratat e tyre lidhur me komunikimet dhe oraret e kthimit në shtëpi. Megjithatë, pa pasur përmbajtjen e telefonatës dhe mesazhit, këto të dhëna nuk u vlerësuan si prova të mjaftueshme për të dëshmuar përfshirjen në krim.

Motivi i hakmarrjes dhe ora e vendosur në arkivol

Një pjesë e rëndësishme e teorisë së Prokurorisë lidhej me pretendimin për hakmarrje pas vetëvrasjes së Heroina Mehmetajt, motrës së Kastriotit dhe Kreshnikut, në qershor të vitit 2020.

Sipas akuzës, shkak i mundshëm i hakmarrjes ishte lidhja e saj e dashurisë me shoferin e autobusit, Gani Gjokaj.

Gjatë shqyrtimit gjyqësor, gjykata dëgjoi shoqet e Heroinës dhe kolegët e shoferit. Nga dëshmitë u konfirmua se Gani Gjokaj dhe Heroina kishin pasur një lidhje dhe se familja Mehmetaj kishte qenë në dijeni për të.

Megjithatë, gjykata nuk e konsideroi këtë rrethanë të mjaftueshme për të dëshmuar motivin e vrasjes.

Në aktgjykim përmendet edhe letra që Heroina kishte lënë para vetëvrasjes, në të cilën kishte shkruar se askush nuk ishte fajtor për vdekjen e saj dhe se e kishte ndërmarrë atë veprim pasi ishte lodhur nga jeta.

Një tjetër pretendim i Prokurorisë lidhej me veprimin e Halil Mehmetajt gjatë varrimit të vajzës së tij. Sipas pretendimit, ai kishte vendosur orën e dorës në arkivolin e saj si shenjë të betimit për hakmarrje.

Por, gjykata i dha besim dëshmisë së imamit të varrimit, Besim Halilaj, i cili kishte deklaruar se e kishte dëgjuar Halilin duke i thënë vajzës: “Këtë orë ma ke dhuruar për ditëlindje dhe po ta kthej prapë”.

Dëshmia e babait të Ledion Hamzajt, Beqë Hamzaj, i cili këtë veprim e kishte interpretuar si shenjë të gjakmarrjes sipas traditës, u konsiderua interpretim personal.

Përveç kësaj, gjykata theksoi se për të dëshmuar veprën penale të shtytjes në vrasje ndaj Halil Mehmetajt, Prokuroria duhej të provonte veprimin konkret, kohën dhe mënyrën se si ai i kishte shtyrë djemtë për ta kryer krimin.

Sipas gjykatës, aktakuza nuk kishte arritur ta konkretizonte këtë lidhje.

Halil dhe Kreshnik Mehmetaj dënohen për armëmbajtje pa leje

Pavarësisht lirimit nga akuza për vrasjen e trefishtë, gjykata i shpalli fajtorë Halil dhe Kreshnik Mehmetajn për armëmbajtje pa leje.

Halil Mehmetaj u dënua me tre vjet burgim për posedimin e 154 fishekëve të armës AK-47, një karikatori të shkurtër, gjashtë fishekëve të gjuetisë dhe gjashtë pajisjeve ushtarake të gjetura në shtëpinë e tij. Për këto vepra ai kishte pranuar fajësinë.

Kreshnik Mehmetaj u dënua me një vit burgim, pasi në dhomën e tij të gjumit dhe në veturën Toyota iu gjetën dy fishekë të armës AK-47.

Gjykata vendosi që në dënimet e tyre të llogaritej edhe koha e kaluar në paraburgim, nga 11 dhjetori 2021 deri më 24 gusht 2026. Kjo periudhë është më e gjatë se dënimet e shqiptuara për armëmbajtje pa leje.

Ndërkohë, familjarët e viktimave dhe nxënësi i plagosur janë udhëzuar që kërkesat për kompensim t’i realizojnë përmes kontestit civil.

Në mesin e tyre është edhe Gentiana Qallaku, bashkëshortja e shoferit të ndjerë, e cila kishte paraqitur kërkesë pasurore-juridike në vlerë prej 150 mijë eurosh.

Kundër aktgjykimit, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit brenda afatit prej 30 ditësh./Insajderi.org

Burimi: Insajderi

Lexo edhe

Blick zbulon të kaluarën kriminale të Rrahman Hotit: U dënua me 19 vjet burg në Zvicër për vrasjen e bashkëshortes

Blick zbulon të kaluarën kriminale të Rrahman Hotit: U dënua me 19 vjet burg në Zvicër për vrasjen e bashkëshortes

Piktura e Van Goghut shitet për 190.4 milionë dollarë, rekordon në ankand pas polemikave për pronësinë

Piktura e Van Goghut shitet për 190.4 milionë dollarë, rekordon në ankand pas polemikave për pronësinë

Kamerat kapin momentin kur kryeministrja japoneze nxjerr gjuhën gjatë samitit në Kinë

Kamerat kapin momentin kur kryeministrja japoneze nxjerr gjuhën gjatë samitit në Kinë