Gazeta zvicerane “Blick” ka publikuar detaje të reja nga e kaluara kriminale e Rrahman Hotit, 60-vjeçarit që dyshohet se vrau Sylë Dakën dy ditë më parë, në parkingun e një qendre tregtare në Suharekë.

Sipas raportimit të mediumit zviceran, Hoti kishte qenë i dënuar edhe më parë për vrasje, pasi në vitin 2011 kishte privuar nga jeta bashkëshorten e tij në Zvicër. Për këtë vepër, ai ishte dënuar me 19 vjet burgim.
Ngjarja e rëndë kishte ndodhur në kantonin e St. Gallenit, në fund të vitit 2011. Sipas vendimit të Gjykatës së Lartë Federale, Hoti e kishte pritur gruan e tij, nga e cila ishte ndarë, pranë vendit të saj të punës.
Teksa ajo po ecte në trotuar, ai e kishte goditur qëllimisht me veturë, duke lëvizur me shpejtësi deri në 90 kilometra në orë.
Por sulmi nuk kishte përfunduar aty. Pasi kishte ndaluar automjetin, Hoti kishte marrë një çelës për prerjen e bagazhit, të cilin e kishte zgjatur me një tub hekuri. Me këtë mjet, ai e kishte goditur disa herë në kokë gruan e tij, e cila ndodhej e shtrirë në tokë. Ajo kishte vdekur në vendin e ngjarjes.
“Blick” raporton se para vrasjes, ai e kishte kërcënuar disa herë bashkëshorten me jetë. Madje, sipas të dhënave të bëra publike gjatë procesit gjyqësor, vajza e tyre kishte arritur të parandalonte një sulm me thikë ndaj nënës së saj, disa muaj para ngjarjes tragjike.
Këto detaje janë publikuar nga mediumi zviceran, i cili rikthen në vëmendje historinë kriminale të 60-vjeçarit, tashmë të dyshuar edhe për vrasjen e Sylë Dakës në Suharekë.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





