Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka reaguar pas vrasjes së Arlinda Zekajt, duke ngritur shqetësime për dështimin e institucioneve në mbrojtjen e grave që përballen me kërcënime për jetën.

Përmes një postimi në facebook, Deliu-Kodra ka kritikuar gjendjen në të cilën, sipas saj, një grua duhet të humbë jetën që paralajmërimet dhe kërkesat e saj për ndihmë të marrin vëmendjen e duhur, transmeton klankosova.tv.
“Çka me iu thanë sot çikave tona? Që kur dikush ua kërcënon jetën, të shkojnë në polici? Po kur lexojnë se Arlinda kishte kërku ndihmë dhe prapë u vra, çka me iu thanë?”, ka shkruar ajo.
Ajo ka theksuar se rasti duhet të shërbejë si thirrje për të gjithë personat dhe institucionet që kanë përgjegjësi për sigurinë e grave, veçanërisht për ata që pranojnë denoncimet dhe marrin vendime për masat mbrojtëse.
Sipas deputetes, institucionet përgjegjëse duhet të japin llogari për atë që kanë ditur, veprimet që kanë ndërmarrë dhe rrethanat në të cilat ka dështuar mbrojtja e viktimës.
“Arlinda kishte kërku me jetu. Sipas raportimeve, rrezikun e kishte paralajmëru. Tash institucionet duhet me tregu çka kanë ditë, çka kanë ba dhe ku ka dështu mbrojtja e saj”, ka deklaruar ajo.
Deliu-Kodra ka ngritur edhe një herë çështjen e trajtimit me urgjencë të rasteve kur gratë raportojnë kërcënime për jetën, duke kërkuar përgjegjësi institucionale dhe reagim më serioz për parandalimin e rasteve të tilla.
“Sa gra duhet me i humbë para se kërkesa për ndihmë të trajtohet me urgjencën që e kërkon një jetë në rrezik?!”.




