Cyrihu po shndërrohet në qendër globale të inteligjencës artificiale, gjigantët e teknologjisë zgjerojnë praninë në Zvicër

Cyrihu po shndërrohet në qendër globale të inteligjencës artificiale, gjigantët e teknologjisë zgjerojnë praninë në Zvicër

Cyrihu po shndërrohet në qendër globale të inteligjencës artificiale, gjigantët e teknologjisë zgjerojnë praninë në Zvicër

Gjigantët amerikanë të teknologjisë po investojnë gjithnjë e më shumë në Zvicër, duke e shndërruar Cyrihun në një nga qendrat më të rëndësishme botërore të inteligjencës artificiale (IA) dhe robotikës.

Sponsor 3M Express

Kompania amerikane Anthropic, e njohur për zhvillimin e modelit gjuhësor Claude, po zgjeron ndjeshëm praninë e saj në Cyrih. Sipas mediumit zviceran Watson, ky zhvillim vjen pasi kompania raportohet se ka përfunduar ofertën publike fillestare (IPO) më të madhe në histori.

Sipas gazetës Tages-Anzeiger, Anthropic ka marrë me qira 2,500 metra katrorë hapësirë për zyra në qendër të qytetit, me kapacitet për rreth 150 punonjës. Qiraja vjetore vlerësohet në afro dy milionë franga zvicerane.

Siç shkruan mediumi zviceran Watson, transmeton Telegrafi, kompani të mëdha si Nvidia, Palantir, OpenAI, Meta dhe Microsoft tashmë kanë qendra kërkimore në Cyrih.

Megjithatë, prania e tyre ndryshon ndjeshëm. Derisa OpenAI, sipas gazetës NZZ am Sonntag, ka deri në dhjetë punonjës në Cyrih, Meta dhe Nvidia kanë disa qindra punonjës, numër që mund të rritet edhe më tej.

Meta dhe Apple zgjerojnë praninë në Cyrih

Meta, kompania mëmë e Facebook-ut, vitin e kaluar investoi në zyra të reja pranë qendrës tregtare Sihlcity, me kapacitet për afro 200 punonjës. Në vitin 2027, kompania pritet të marrë në shfrytëzim edhe dy kate shtesë në një ndërtesë zyrash pranë Liqenit të Cyrihut.

Edhe Apple po zgjeron zyrat në lagjen Altstetten, të cilat pritet të akomodojnë deri në 700 punonjës.

Sipas Financial Times, ekipet e Apple në Cyrih synojnë ta ndihmojnë kompaninë të arrijë konkurrentët e saj në fushën e inteligjencës artificiale.

Një nga laboratorët e kompanisë në Cyrih thuhet se funksionon në fshehtësi të tillë, saqë as fqinjët nuk janë në dijeni të aktiviteteve kërkimore që zhvillohen aty.

Gjiganti amerikan ka blerë gjithashtu dy kompani të inteligjencës artificiale me seli në Cyrih, Faceshift dhe Fashwell, transmeton Telegrafi.

Pse gjigantët e teknologjisë po zgjedhin Zvicrën?

Një nga faktorët kryesorë që tërheq kompanitë teknologjike është prania e Institutit Federal Zviceran të Teknologjisë në Cyrih (ETH Zürich), i cili konsiderohet një nga universitetet më të mira në botë.

Për të përfituar nga potenciali i të diplomuarve, kompanitë ndërkombëtare po hapin degë në këtë qytet.

Cilësia e lartë e jetesës, normat e favorshme tatimore krahasuar me vendet e tjera, veçanërisht për kompanitë kërkimore dhe individët, si dhe përqendrimi gjeografik i kompanive janë faktorë të tjerë që e bëjnë Zvicrën tërheqëse.

Pavarësisht sektorit në të cilin operojnë, kompanitë me profile të ngjashme shpesh synojnë të vendosen pranë njëra-tjetrës, duke përfituar nga një numër gjithnjë e më i madh specialistësh dhe nga ekspertiza e përqendruar në të njëjtin rajon.

Google punëson rreth 5,000 persona në Cyrih

Zhvillimi i Cyrihut si qendër e madhe teknologjike nisi me Google, e cila në vitin 2004 hapi një zyrë të vogël në qytetin zviceran.

Sot, kompania punëson rreth 5,000 persona në Cyrih, ku, sipas raportimit, ndodhet qendra e saj më e madhe jashtë Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Megjithatë, nuk ka garanci se kompanitë e tjera teknologjike që janë vendosur në Cyrih do të arrijnë ndonjëherë përmasat e Google. Shumë vëzhgues konsiderojnë se tregu i inteligjencës artificiale është i mbinxehur dhe se një korrigjim i tij është i pashmangshëm.

Christian Lüscher, zëdhënës i agjencisë për zhvillim ekonomik Greater Zurich Area (GZA), përmes një postimi në LinkedIn, e ka cilësuar ardhjen e Google në Cyrih si një “goditje fati”.

Investimi konsiderohet një nga projektet më të mëdha të zhvillimit të biznesit në Evropë, i krahasueshëm me fabrikën Gigafactory të Teslës në Brandenburg të Gjermanisë.

Sipas Lüscherit, përgjigjja e sinqertë ndaj pyetjes se kur do të vendoset në Cyrih një kompani tjetër me përmasat e Google do të ishte: “Kurrë”./Telegrafi/

Lexo edhe

Policia intensifikon kontrollet në Pejë – Dhjetëra persona shoqërohen në stacion, mbi 300 gjoba në trafik

Policia intensifikon kontrollet në Pejë – Dhjetëra persona shoqërohen në stacion, mbi 300 gjoba në trafik

ATK kontrollon lokalet e natës dhe qendrat e masazhit, zbulon 103 punëtorë të padeklaruar

ATK kontrollon lokalet e natës dhe qendrat e masazhit, zbulon 103 punëtorë të padeklaruar

Historiku i Komunës së Bogovinës: Themelimi i komunës dhe rënia e numrit të banorëve

Historiku i Komunës së Bogovinës: Themelimi i komunës dhe rënia e numrit të banorëve