Një plan i dyshuar për vrasjen e një 36-vjeçari në Prishtinë është parandaluar pas një operacioni të përbashkët të Policisë së Kosovës, Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI). Rasti ka çuar në sekuestrimin e dy armëve, përfshirë një pistoletë me shurdhues, bastisjen e disa lokacioneve dhe ndalimin e tre personave për 48 orë.

Sipas informacioneve të siguruara ekskluzivisht nga Gazeta Sinjali, personi që dyshohet se ishte cak i planit për vrasje është Vigan Bekqeli, rreth 36-vjeçar.
Burimet e Sinjalit kanë bërë të ditur se katër personat që dyshohet se ishin të përfshirë në përgatitjen e vrasjes janë Evatar Ajvazi, rreth 38-vjeçar, Bekim Rexhepi, rreth 51-vjeçar, Gëzim Begu, rreth 29-vjeçar dhe Fidaim Hoti, rreth 46-vjeçar.
Gjithçka nisi mbrëmjen e 27 nëntorit, rreth orës 22:15, kur hetuesit policorë pranuan informacione se disa persona dyshohej se po përgatitnin vrasjen e Bekqelit. Pas këtyre informacioneve, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, hetuesit e Njësisë së Hetimeve të Përgjithshme nisën veprimet operative dhe hetimore, duke identifikuar dhe intervistuar edhe personin që dyshohej se ishte cak i atentatit.
Gjatë hetimeve, Policia arriti të identifikonte dhe të sekuestronte një automjet që dyshohej se kishte lidhje me rastin. Gjatë ekzaminimit të tij, ekspertët e kriminalistikës zbuluan një pistoletë me shurdhues dhe pesë fishekë.
Më pas, hetimet çuan në identifikimin e katër personave të dyshuar, ndërsa Policia realizoi bastisje në shtëpitë dhe objektet e tyre përcjellëse.
Fillimisht, në shtëpinë e Evatar Ajvazit u gjet dhe u sekuestrua edhe një pistoletë tjetër, e llojit TT, me shtatë fishekë. Ajvazi u arrestua, ndërsa Bekim Rexhepi, Gëzim Begu dhe Fidaim Hoti nuk u gjetën gjatë kontrolleve dhe u shpallën në kërkim policor.
Pastaj, njëri nga personat që kërkohej nga Policia, Fidaim Hoti, përfundoi në prangat e autoriteteve.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Prishtinë konfirmoi se operacioni është zhvilluar më 28 dhe 29 nëntor, nën udhëheqjen e Prokurorit të Shtetit, në bashkëpunim me Policinë dhe AKI-në. Bastisjet janë realizuar në disa lokacione në Prishtinë, Obiliq dhe Gjakovë.
Sipas Prokurorisë, tre persona janë ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për përgatitjen e vrasjes së rëndë në bashkëkryerje dhe armëmbajtje pa leje. Brenda afatit ligjor, Prokuroria ka bërë të ditur se do t’i drejtohet gjykatës kompetente me kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tyre.
Hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rastit, përcaktimin e rolit të secilit të dyshuar dhe lokalizimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë.
Deri më tani, motivi i dyshuar i planit për vrasjen e Vigan Bekqelit nuk është bërë i ditur.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





