Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka garantuar se Ligji për Dhomat e Specializuara, i cili është kthyer në Kuvend për rishqyrtim, do të hyjë në fuqi brenda afateve të parapara.

Përmes një postimi në Facebook, Çitaku ka bërë të ditur se ligji do të rishqyrtohet në Kuvend brenda katër javësh, duke theksuar se PDK-ja do t’i qëndrojë zotimit për jetësimin e tij.
Çitaku ka theksuar se kërkesa e PDK-së për rikthimin e ligjit në Kuvend nuk përbën tërheqje nga nisma dhe as nuk e zbeh qëndrimin e partisë për miratimin e tij.
Sipas Çitakut, brenda PDK-së nuk ka asnjë çështje tjetër që e tejkalon rëndësinë e jetësimit të këtij ligji, për të cilin, siç ka thënë ajo, partia është e bashkuar dhe e vendosur.
Postimi i plotë:
Ligji që mbron UÇK-në do të kalojë!
Po e them që në fillim, pa lënë vend për dilema: brenda katër javësh, ligji do të rishqyrtohet në Kuvend dhe do të hyjë në fuqi brenda afateve të parashikuara. Ky është zotimi ynë dhe do t’i qëndrojmë deri në fund.
E kuptoj shqetësimin e atyre që e kanë mbështetur sinqerisht këtë ligj dhe i mirëpresim kritikat e bazuara.
Por një gjë duhet të jetë e qartë: kërkesa e PDK-së për rikthimin e ligjit në Kuvend nuk është as tërheqje prej tij – dhe as nuk e zbehë atë. Qëndrimi ynë mbetet ai i ditës kur e propozuam dhe kur e votuam.
Për t’u dhënë përgjigje pikëpyetjeve të ngritura, si sponsorizues i dham procesit edhe katër javë kohë. Qëllimi është një dhe i vetëm: të hiqet çdo mëdyshje, të forcohet baza juridike e ligjit dhe të sigurohet zbatimi i tij në praktikë.
Për PDK-në dhe brenda PDK-së, nuk ka asnjë temë tjetër përveç jetësimit të këtij ligji, për të cilin jemi plotësisht të bashkuar dhe të vendosur.
Qytetarëve që protestuan, mbështetësve tanë dhe të gjithë atyre që besuan në këtë nismë u them: zotimi që kemi marrë para jush qëndron. Dhe këtë do ta çojmë deri në fund!
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




