Një shërbim i ri synon t’ua lehtësojë mërgimtarëve shqetësimin për shtëpitë që mbeten bosh dhe prindërit që jetojnë në Kosovë. Themeluesi i AFËR-it, Blerton Sadiki, tregon për Telegrafi Diasporë se si funksionon ky shërbim, sa kushton dhe si synohet të ndërtohet besimi me familjet që jetojnë jashtë vendit.

Shumë familje shqiptare që jetojnë në Zvicër, Gjermani dhe Austri përballen me të njëjtin shqetësim: shtëpitë në Kosovë që mbeten të pabanuara për muaj të tërë dhe prindërit që jetojnë larg fëmijëve të tyre. Pavarësisht largësisë, mërgimtarët duan të dinë nëse gjithçka është në rregull në shtëpi dhe nëse prindërit kanë nevojë për ndihmë. Shpesh, kjo përgjegjësi u mbetet fqinjëve dhe të afërmve, të cilët ndihmojnë me dëshirë, por nuk mund të jenë gjithmonë të pranishëm, shkruan Telegrafi.
Pikërisht nga kjo nevojë ka lindur AFËR-i, një shërbim që po nis në Prishtinë nga themeluesi i AFËR-it, Blerton Sadiki. Ideja, siç tregon ai, lidhet edhe me përvojën personale të familjes së tij, e cila jeton mes Zvicrës dhe Kosovës. AFËR-i ofron kontroll mujor të shtëpive dhe banesave, si dhe vizita javore te prindërit, duke u dërguar familjeve jashtë vendit fotografi, video dhe informacione pas çdo vizite.
Sadiki ka treguar gjithashtu se sa kushtojnë shërbimet e AFËR-it dhe cilat shërbime përfshihen në secilën prej tyre. Shërbimi fillimisht do të jetë i disponueshëm në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Obiliq, ku synohet të përfshihen dhjetë familjet e para themeluese, për të cilat vizita e parë do të jetë falas. Në intervistën për Telegrafi Diasporë, Blerton Sadiki shpjegon se si funksionon ky shërbim, si përzgjidhen personat që kryejnë vizitat, si mbrohet privatësia e familjeve dhe cilat janë planet për zgjerim në qytete të tjera të Kosovës.
Telegrafi: Si lindi ideja për themelimin e AFËR-it dhe cili ishte problemi konkret që ju shtyu të krijoni një shërbim të tillë për familjet e mërgatës? A keni identifikuar një nevojë të veçantë te familjet shqiptare që jetojnë jashtë Kosovës?
Ideja nuk lindi në zyrë. Lindi nga një ndjenjë që e njeh çdo familje e mërgatës: je larg dhe nuk e di si janë gjërat në shtëpi.
Edhe familja jonë jeton mes Zvicrës dhe Kosovës. Një pjesë e ka përditshmërinë atje, ndërsa shtëpia dhe prindërit janë këtu. Pra, këtë brengë nuk e kemi lexuar diku: e jetojmë vetë.
Çdo mërgimtar e njeh telefonatën e mbrëmjes, kur nëna thotë «mirë jemi, mos u mërzit», e ti e ndien se nuk po t’i thotë të gjitha. Shumëkush e ka gjetur shtëpinë në verë me lagështi në mur, sepse gjithë dimrin askush nuk e ka hapur asnjë dritare.
Mërgimtarët tanë kanë punuar me dekada për një shtëpi në vendlindje. Ajo shtëpi nuk është vetëm mur e çati, është mundi i një jete. E prindërit janë arsyeja pse kthehemi. Për të dyja, deri tash kishte vetëm një zgjidhje: t’ia kërkosh dikujt si nder. Fqinji e kushëriri ndihmojnë me zemër, por e kanë jetën e vet, e nuk mund t’i pyesësh çdo javë.
AFËR-i është përgjigjja jonë: dikush që shkon rregullisht, në ditën e caktuar, dhe që të shkruan të njëjtën ditë çka ka parë.
Telegrafi: AFËR ofron dy shërbime kryesore: kontrollin e shtëpive dhe vizitat te prindërit. Si funksionojnë konkretisht këto dy shërbime dhe çfarë përfshin secili prej tyre? Si realizohet komunikimi me familjarët që jetojnë jashtë Kosovës?
Janë dy shërbime të thjeshta, të ndërtuara rreth një pyetjeje: çka do të doje të shihje, po të ishe vetë aty?
Kontrolli i shtëpisë: një herë në muaj dikush nga ne shkon te shtëpia ose banesa. E shikon nga jashtë dhe, nëse familja na e ka besuar çelësin, edhe nga brenda, dhomë për dhomë. E ajros dhe e fotografon.
Vizita te prindërit: një herë në javë, në ditën e dakorduar, i njëjti person troket te dera e prindërve. Pinë një kafe bashkë, bisedojnë, e pastaj bëhet ajo që duhet: blerjet, barnatorja, një punë e vogël në shtëpi.
Pastaj vjen pjesa më e rëndësishme: mesazhi për familjen. Në WhatsApp, ose në kanalin që e zgjedh vetë, familja merr disa rreshta të shkruar nga njeriu që ishte aty, bashkë me fotot dhe me listën e punëve të kryera.
Jo raport zyrtar, por ashtu siç do të të tregonte një i afërm: «Sot isha te shtëpia. Gjithçka në rregull, vetëm te ballkoni kishte pak ujë, shiko foton.» Nëse ka diçka për të vendosur, shënohet veçmas, që të mos humbë mes fotove.
Telegrafi: Për shumë familje të mërgatës, lënia e shtëpisë apo banesës bosh për muaj të tërë është një shqetësim, veçanërisht gjatë dimrit. Çfarë kontrollohet gjatë vizitës mujore në pronë dhe si siguroheni që familja të marrë një pasqyrë sa më të qartë për gjendjen e saj?
Kush ka shtëpi në Kosovë e di: dimri nuk fal. Një gyp që plas në janar mund të rrjedhë me muaj, nëse askush nuk hyn brenda. Prandaj vizita mujore është e thjeshtë, por e rregullt.
Shkojmë përreth shtëpisë dhe i shikojmë dyert, dritaret dhe çatinë nga poshtë. Me çelës hyjmë në çdo dhomë, e ajrosim shtëpinë, i shikojmë tavanet dhe qoshet për lagështi dhe e kontrollojmë me sy ujin e rrymën. E zbrazim kutinë postare. Në dimër shikojmë veçmas për dëme nga ngrica.
Pastaj familja nuk merr vetëm një fjali «gjithçka në rregull». Merr 20 foto, një video të shkurtër dhe disa rreshta, të njëjtën ditë. Dua që njeriu në Cyrih ose në Shtutgart ta shohë shtëpinë e vet me sytë e vet. Nëse diçka nuk është në rregull, e sheh në foto, e merr propozimin tonë dhe vendos vetë. Pa miratimin e familjes nuk preket asgjë dhe nuk shpenzohet asnjë cent.
Dhe jam i sinqertë: ne shikojmë me sy, nuk bëjmë inspektim teknik dhe nuk mund të premtojmë se nuk do të ndodhë kurrë një dëm. Por dëmi që vërehet pas katër javësh nuk është i njëjtë me atë që vërehet pas gjashtë muajsh.
Telegrafi: Një pjesë tjetër e shërbimit lidhet me vizitat te prindërit që jetojnë vetëm në Kosovë. Si zhvillohet një vizitë e tillë javore dhe çfarë lloj ndihme ofroni, përtej shoqërimit dhe pirjes së kafesë me ta?
Prindërit tanë nuk ankohen. Kjo është e bukura dhe e vështira e tyre. Në telefon thonë «mirë jemi», edhe kur llamba në korridor nuk ndizet prej dy javësh e barnat po mbarojnë.
Prandaj vizita jonë nuk është kontroll. Është vizitë, si e një të afërmi. Një herë në javë, në të njëjtën ditë, vjen i njëjti njeri. Ulet, e pi një kafe, pyet si kanë fjetur, dëgjon. Besoj se për shumë prindër kjo bisedë vlen më shumë se çdo shërbim.
Pastaj bëhet ajo që është marrë vesh me familjen: blerjet e javës, me faturë; barnatorja, ku e marrim atë që është porositur; një llambë, një pako e rëndë, mbeturinat. Nëse duhet shoqërim te mjeku, merremi vesh paraprakisht.
Në fund, djali ose vajza jashtë vendit merr një mesazh të shkurtër: çka u bë dhe si janë prindërit. Foto dërgojmë vetëm nëse prindërit vetë pajtohen, sepse dinjiteti i tyre është mbi çdo raport.
Ka edhe kufij, dhe i them hapur: nuk jemi infermierë, nuk japim barna dhe nuk vendosim për doza, dhe nuk jemi shërbim emergjence. Ne jemi ai njeriu i besuar që troket në derë çdo javë.
Telegrafi: Besimi është një element shumë i rëndësishëm kur bëhet fjalë për hyrjen në pronën e dikujt apo kujdesin ndaj prindërve të tij. Si përzgjidhen personat që i realizojnë këto vizita dhe çfarë masash keni paraparë për të garantuar sigurinë, përgjegjësinë dhe besueshmërinë e shërbimit?
Kjo është pyetja më e rëndësishme, dhe e kuptoj secilin që dyshon. T’ia japësh dikujt çelësin e shtëpisë ose ta lësh të hyjë te nëna jote nuk është vendim që merret nga një reklamë. Prandaj nuk kërkojmë besim në fjalë.
Së pari, njerëzit. Jemi në fillim dhe jemi pak veta, me qëllim: nuk dërgojmë askënd që familja nuk e njeh. Kush i merr vizitat, përgatitet me kujdes. Para vizitës së parë, familja dhe prindërit e shohin dhe e dëgjojnë atë që do të vijë, me video ose te vizita e parë e përbashkët. Fillojmë vetëm kur u pëlqen të gjithëve. Te prindërit vjen gjithmonë i njëjti person, e nëse ai ndonjëherë ndërrohet, familja e njeh të riun para se ai të shkelë në prag.
Së dyti, çelësi. Nuk e kërkojmë. Mund të fillohet pa çelës, vetëm nga jashtë, dhe familja vendos vetë nëse dhe kur e dorëzon. Dorëzimi dhe kthimi shkruhen dhe fotografohen. Çelësi nuk kopjohet dhe nuk i jepet askujt tjetër.
Së treti, gjithçka është e shkruar dhe e dukshme. Fotot shkojnë vetëm te personat që i cakton familja. Nuk ka asnjë shpenzim pa miratim dhe pa faturë. Marrëveshja jepet me shkrim para fillimit dhe anulohet në fund të çdo muaji, pa asnjë tarifë.
Besimin nuk e kërkojmë paraprakisht. Duam ta fitojmë vizitë pas vizite, foto pas fotoje.
Telegrafi: Sa kushtojnë shërbimet e AFËR-it dhe çfarë përfshihet konkretisht në tarifat mujore? A ka shërbime shtesë që familjet mund t’i kërkojnë dhe si funksionon angazhimi në rastet kur nevojitet ndihmë përtej vizitave të planifikuara?
Çmimet i kemi mbajtur të thjeshta, sepse askush nuk do befasi kur është larg.
Kontrolli i shtëpisë kushton 39 euro në muaj. Për këtë, një herë në muaj dikush shkon te shtëpia: kontrolli jashtë dhe brenda, ajrosja, kutia postare, 20 foto, një video e shkurtër dhe raporti të njëjtën ditë. Me fjalë të tjera: për çmimin e një darke jashtë, familja e di çdo muaj si e ka shtëpinë.
Vizita te prindërit kushton 119 euro në muaj: një vizitë çdo javë, gjithmonë nga i njëjti person, me shoqëri, blerje ose barnatore sipas marrëveshjes, ndihmë të vogël në shtëpi dhe një mesazh për familjen pas çdo vizite.
Nuk ka kontratë që të lidh me vite. Të dy abonimet anulohen në fund të muajit, pa tarifë. Pagesa bëhet me faturë dhe transfer bankar, për herë të parë pas vizitës së parë.
Veçmas paguhen vetëm shpenzimet reale, dhe vetëm me miratim: blerjet dhe barnat e prindërve, sipas faturës, ose mjeshtri te shtëpia, pas një oferte që e ka parë familja. Nëse duhet diçka jashtë vizitave të rregullta, për shembull shoqërimi te mjeku, merremi vesh më parë për kohën dhe koston. Shërbim emergjence nuk jemi, dhe këtë e themi qartë.
Telegrafi: Fillimisht keni paralajmëruar nisjen me dhjetë familje themeluese në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Obiliq. Pse keni zgjedhur pikërisht këto tri komuna dhe cilat janë kushtet për familjet që dëshirojnë të bëhen pjesë e kësaj faze të parë?
Sepse aty jemi vetë në shtëpi. Prishtinën e njohim mirë, e Fushë Kosova dhe Obiliqi janë një hap larg. Kur dikujt i thua «të enjten jemi te prindërit e tu», duhet të jesh aty të enjten, me borë e pa borë. Këtë fjalë mund ta mbajmë vetëm aty ku jemi vërtet afër. Emri ynë na e kujton këtë çdo ditë.
Për të njëjtën arsye fillojmë me vetëm dhjetë familje. Mund të kishim thënë «gjithë Kosova, menjëherë». Por më mirë dhjetë familje që flenë të qeta, sesa njëqind premtime të pambajtura.
Kushtet janë të thjeshta: shtëpia, banesa ose prindërit duhet të jenë në njërën nga këto tri komuna. Për dhjetë familjet e para, vizita e parë është falas: te shtëpia një kontroll nga jashtë me foto të freskëta, te prindërit një vizitë njohjeje. Vetëm pastaj familja vendos nëse do të vazhdojë. Çmimi u mbetet i njëjtë për dymbëdhjetë muaj. Për kërkesën nuk duhet as pagesë, as të dhëna të kartelës.
Familjet themeluese do ta formësojnë AFËR-in bashkë me ne.
Telegrafi: Sa i përket familjeve që jetojnë në Zvicër, Gjermani, Austri dhe vende të tjera të Evropës, si mund të regjistrohen dhe të komunikojnë me AFËR-in? A mund të organizohet i gjithë procesi nga distanca, pa pasur nevojë që familjarët të jenë fizikisht në Kosovë?
Po, gjithçka bëhet nga distanca. AFËR-i është menduar pikërisht për njeriun që nuk mund të marrë pushim e të fluturojë për në Prishtinë sa herë që e ha meraku.
Fillon me një mesazh: në faqen tonë, afer-kosova.netlify.app/sq/, me tre hapa të shkurtër, ose direkt në WhatsApp, +41 79 664 87 97. Pastaj flasim, me telefon ose me video. Familja na tregon për shtëpinë ose për prindërit, e ne themi ndershmërisht nëse e mbulojmë vendin. Para vizitës së parë, familja dhe prindërit e njohin me video atë që do të vijë.
Edhe çelësi zgjidhet pa udhëtim. Zakonisht dikush këtu e ka një çelës: fqinji, kushëriri, tezja. E marrim aty dhe dorëzimin e konfirmojmë me foto dhe nënshkrim. Kush nuk do ta japë çelësin menjëherë, fillon me kontrollin nga jashtë.
Prej aty, gjithçka vjen në telefon: fotot, videot, mesazhet pas çdo vizite. Pagesa bëhet me transfer bankar sipas faturës. Familja mund të jetë në Cyrih, në Shtutgart ose në Vjenë, e prapë ta dijë çdo muaj si e ka shtëpinë dhe çdo javë si i ka prindërit.
Telegrafi: Cilat janë planet tuaja për zhvillimin e mëtejshëm të AFËR-it? A synoni që shërbimi të zgjerohet edhe në qytete të tjera të Kosovës, duke pasur parasysh se familjet e mërgatës kanë prona dhe prindër edhe jashtë Prishtinës dhe komunave përreth?
Ëndrra është e madhe, hapat janë të vegjël. E di që mërgata nuk ka shtëpi e prindër vetëm në Prishtinë. I ka në Pejë, në Gjakovë, në Prizren, në Ferizaj, në Gjilan, në Mitrovicë e në çdo fshat të Kosovës. Do të doja që një ditë asnjë familje të mos e ketë më brengën «kush po e sheh shtëpinë, kush po i sheh prindërit».
Por nuk dua ta ndërtoj AFËR-in me premtime. Rrjet në gjithë Kosovën ende nuk kemi dhe nuk e pretendojmë. Rruga jonë është kjo: familjet nga qytetet tjera mund të na shkruajnë qysh sot. I shënojmë, dhe një qytet e hapim sapo të mblidhen mjaft familje atje dhe të kemi një njeri për të cilin garantojmë me emrin tonë.
Data nuk premtoj. Së pari dua që dhjetë familjet e para të thonë: «Ia vlejti.» Gjithçka tjetër vjen pas kësaj.
Telegrafi: Në prag të dimrit, kur shumë familje të mërgatës shqetësohen për shtëpitë që mbeten bosh dhe për prindërit që jetojnë vetëm, çfarë do t’u këshillonit atyre? Cili është mesazhi juaj për familjet që dëshirojnë të kenë më shumë siguri dhe afërsi me familjarët e tyre, pavarësisht distancës?
Së pari, për shtëpinë. Gati të gjitha dëmet e dimrit mund të shmangen me një orë përgatitje para nisjes. Mbylleni ventilin kryesor të ujit dhe zbrazini gypat: uji i ngrirë i plas. Ngrohjen lëreni në mbrojtje nga ngrica, mos e fikni krejt. Hiqini pajisjet nga priza. Fotografojeni çdo dhomë dhe njehsorët. Luteni dikë ta zbrazë kutinë postare, sepse kutia e mbushur i tregon secilit se aty s’ka njeri. Dhe mos u nisni pa e ditur kush e ka çelësin dhe numrin tuaj.
Gjatë dimrit, dikush duhet ta shohë shtëpinë së paku një herë në muaj: ta ajrosë, t’i shikojë tavanet e qoshet, e pas borës së madhe edhe çatinë. Listën e plotë, me dymbëdhjetë pika, e kemi falas në faqen tonë, edhe për ata që nuk do të bëhen kurrë klientë tanë.
Së dyti, për prindërit. Mos u mjaftoni me «mirë jemi». Prindërit tanë na kursejnë nga brengat edhe atëherë kur u duhet ndihmë. Gjeni dikë që i sheh me sy rregullisht, qoftë fqinj, i afërm apo ne, dhe që jua thotë të vërtetën.
E mesazhi im: largësia është çmimi që mërgata e ka paguar për një jetë më të mirë. Por largësia nuk duhet të bëhet as harresë, as ankth. Shtëpia që e keni ndërtuar me mund dhe prindërit që ju kanë rritur e meritojnë dikë afër.
Ju jeni larg. Ne jemi afër./Telegrafi/




