CAF ka bërë të ditur se respekton vendimin përfundimtar të CAS-it dhe do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për zbatimin e tij.
“CAF respekton vendimin e CAS-it dhe do të marrë të gjitha masat e nevojshme për ta zbatuar atë”, thuhet në komunikatën e institucionit më të lartë të futbollit afrikan.

Të martën, CAS-i rrëzoi vendimin e Komitetit të Apelit të CAF-it, të marrë më 17 mars, dhe la në fuqi vendimin e mëhershëm të Komitetit Disiplinor, të datës 11 shkurt. Në këtë mënyrë, Senegali u rikthye zyrtarisht në pozitën e kampionit të Afrikës.
Kontestet lidhen me finalen e zhvilluar më 18 janar në stadiumin “Prince Moulay Abdellah” në Rabat të Marokut. Senegali kishte fituar 1:0 pas vazhdimeve, por në muajin mars CAF ia kishte regjistruar ndeshjen me rezultat zyrtar 3:0 në favor të Marokut.
Vendimi i atëhershëm ishte marrë pasi futbollistët e Senegalit kishin braktisur përkohësisht fushën për rreth katërmbëdhjetë minuta, në shenjë proteste ndaj penalltisë së akorduar për Marokun në minutat e fundit të kohës së rregullt.
Megjithatë, Maroku nuk e shfrytëzoi mundësinë nga pika e bardhë, ndërsa ndeshja vazhdoi në vazhdime, ku Senegali shënoi golin e fitores.
Federata Mbretërore Marokene e Futbollit ka bërë të ditur se nuk pajtohet me vendimin dhe do t’i shfrytëzojë të gjitha rrugët ligjore në dispozicion për ta kundërshtuar atë.
Burimi: RTKLive





