Kapiteni i Real Madridit, Federico Valverde, ka vlerësuar ndikimin e Jude Bellinghamut në përmbysjen e madhe të skuadrës madrilene ndaj PSV Eindhovenit, në fitoren 5-1 në Ligën e Kampionëve.

Reali shkoi në pushim mes pjesëve në disavantazh prej 1-0, pas golit të Ivan Perisicit nga penalltia në pjesën e parë. Megjithatë, hyrja e Bellinghamut në fillim të pjesës së dytë ndryshoi rrjedhën e ndeshjes, duke i dhënë skuadrës një energji dhe qasje tjetër në lojë.
Pas përfundimit të takimit, Valverde nuk i kurseu elozhet për mesfushorin anglez, duke theksuar se ndikimi i tij ishte vendimtar në përmbysje.
“Jude Bellingham na dha qetësi. Ai e ndryshoi ndeshjen”, deklaroi uruguaiani.
Vetë Valverde e nisi serinë e golave të Real Madridit, duke barazuar shifrat në minutën e 50-të. Dhjetë minuta më vonë, Bellingham shënoi golin e përmbysjes, ndërsa në vazhdim në listën e realizatorëve u regjistruan edhe Kylian Mbappe dhe Vinicius Junior, për fitoren përfundimtare 5-1.
Mesfushori uruguaian foli edhe për angazhimin e tij të vazhdueshëm në pozitën e mbrojtësit të djathtë, duke treguar se ndihet mirë në këtë rol.
“Po kënaqem duke luajtur si mbrojtës i djathtë. E di se e kam besimin dhe mbështetjen e trajnerit dhe stafit, dhe kjo më ndihmon”, u shpreh Valverde.
Ndërkohë, në sfidën e radhës në Ligën e Kampionëve, Real Madridi do të ketë punë të vështirë me Arsenalin si mysafir në “Emirates”./Telegrafi/





