E vetmja gjë e qëndrueshme në politikën ekonomike të kësaj Qeverie është paqëndrueshmëria e planeve të saj buxhetore, vlerësoi deputeti i LSDM-së, Fatmir Bytyqi, në seancën e Komisionit Parlamentar për Financim dhe Buxhet, kushtuar rishikimit të dytë të Buxhetit për vitin 2026.

Ai paralajmëroi se për më pak se dhjetë muaj, Qeveria ka paraqitur tri konstrukte të ndryshme buxhetore, ndërsa deficiti mbetet dukshëm më i lartë se ai i planifikuar fillimisht dhe mjetet për investime kapitale po zvogëlohen.
“Brenda dhjetë muajve kemi tri konstrukte buxhetore dhe të njëjtin udhëheqës, i cili vazhdimisht na shpjegon se gjithçka po zhvillohet sipas planit. Duket se e vetmja gjë e qëndrueshme në politikën ekonomike të kësaj Qeverie është paqëndrueshmëria e planeve të saj buxhetore. Populli prej kohësh ka thënë: ‘Matu dy herë, preje një herë’. Ndërsa kjo Qeveri, me sa duket, fillimisht pret e pastaj mat se sa ka gabuar. Dhe kështu tri herë. Por çmimin e çdo mase të gabuar e paguajnë qytetarët, e jo ata që e kanë marrë atë”, theksoi Bytyqi.
Ai theksoi se deficiti buxhetor, i planifikuar fillimisht në 39,239 miliardë denarë, përkatësisht 3,5 për qind të PBB-së, me rishikimin e korrikut u rrit në 46,264 miliardë denarë ose 4,1 për qind të PBB-së, ndërsa me rishikimin e tetorit mbetet i pandryshuar.
Në të njëjtën kohë, shpenzimet kapitale zvogëlohen nga 45,879 në 40,124 miliardë denarë, përkatësisht me 5,755 miliardë denarë. Ndërkaq, nëse përfshihet edhe komponenti i veçantë KAPEF, ulja e përgjithshme e komponentit kapital arrin në rreth 6,3 miliardë denarë.
Sipas Bytyqit, kjo rishpërndarje konfirmon paralajmërimin e Këshillit Fiskal se deficiti shtesë praktikisht nuk është më i destinuar për rritjen e investimeve kapitale, por për mbulimin e shpenzimeve rrjedhëse.
“Në korrik e mbronit rritjen e deficitit me argumentin se po siguronit mjete shtesë për investime kapitale. Ky ishte arsyetimi kryesor zhvillimor për rritjen e hendekut fiskal. Dhe kështu arrijmë te kthesa thelbësore. Investimet kapitale kthehen pothuajse në nivelin fillestar, por deficiti mbetet shtatë miliardë denarë më i lartë se sa ishte planifikuar fillimisht. Në korrik u merrnim më shumë borxh gjoja për të investuar më shumë. Në tetor investimet zvogëlohen, huamarrja mbetet, ndërsa Qeveria vazhdon të flasë për zhvillim”, theksoi Bytyqi.
Duke folur për prioritetet zhvillimore, deputeti i LSDM-së vuri në dukje se me rishikimin e buxhetit zvogëlohen mjetet nga buxheti bazë për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, zonat zhvillimore teknologjike-industriale, investimet e huaja, zhvillimin e barabartë rajonal, energjetikën dhe infrastrukturën arsimore.
Ai paralajmëroi edhe për luhatjet e hyrjeve nga investimet e huaja direkte, të cilat nga 218,6 milionë euro në tremujorin e parë të vitit 2026, kanë rënë në 18,7 milionë euro në tremujorin e dytë.
Gjithashtu, ai shtoi se shpenzimet për pensionet po rriten, por rritja nominale e tyre nuk garanton domosdoshmërisht edhe rritje të fuqisë blerëse. Ndërsa varësia në rritje e fondit pensional nga transferet buxhetore ngre pikëpyetje për qëndrueshmërinë afatgjatë të sistemit.
“Interesi, ndryshe nga investimet kapitale, ka një përparësi të madhe: nuk varet nga aftësia e Qeverisë për të realizuar projekte. Ai vjen rregullisht, edhe kur zhvillimi vonohet. Në këtë pjesë nuk ka dështim”, tha Bytyqi, duke vënë në dukje se shpenzimet për interesa arrijnë në 21,094 miliardë denarë, shumë kjo që përbën më shumë se gjysmën e shpenzimeve të planifikuara kapitale.
Ai paralajmëroi se borxhi publik, i cili më 30 qershor arriti në 10,726 miliardë euro, deri në fund të vitit mund të tejkalojë 11 miliardë euro. Për këtë arsye, ai kërkoi nga ministrja e Financave të shpjegojë se si trajtohen në evidencën zyrtare të borxhit publik huamarrjet shtesë të paralajmëruara.
Bytyqi kërkoi nga Qeveria edhe një plan konkret për shlyerjen e detyrimeve të maturuara, por të papaguara, të subjekteve publike, të cilat në qershor arritën në 42,66 miliardë denarë. Ai kërkoi gjithashtu transparencë më të madhe lidhur me detyrimet që përfshihen në rishikimin e buxhetit.
Sipas tij, shteti nuk duhet ta rrezikojë likuiditetin e kompanive duke i shtyrë pagesat e veta, përfshirë edhe rimbursimin në kohë të TVSH-së.




