Kantonet e Zvicrës pritet të përballen me sfida financiare në vitin 2027, pavarësisht se disa prej tyre parashikojnë suficit.

Sipas një përmbledhjeje të publikuar nga gazeta zvicerane Blick, 14 kantone planifikojnë deficit, ndërsa 12 presin të mbyllin vitin me tepricë buxhetore.
Suficitet më të larta parashikohen në Zug, me rreth 290 milionë franga, Bernë me 269 milionë dhe Zürich me 207 milionë franga. Në anën tjetër, deficiti më i madh pritet në Gjenevë, me 546 milionë franga, e ndjekur nga Vaud me 356 milionë franga.
Ticino dhe Graubünden parashikojnë secili deficit prej rreth 99 milionë frangash, transmeton Telegrafi.
Megjithatë, perspektiva financiare pritet të përkeqësohet nga viti 2028, kur kantonet do të përballen me shpenzime më të larta për shëndetësinë dhe lehtësimin e primeve të sigurimit shëndetësor për personat me të ardhura të ulëta.
Sipas vlerësimeve federale, kostot shtesë për subvencionimin e primeve mund të arrijnë fillimisht rreth 350 milionë franga në vit dhe t’i afrohen një miliard frangave deri në vitin 2030.
Rritja e shpenzimeve sociale dhe shëndetësore, si dhe pjesëmarrja e kantoneve në financimin e trajtimeve ambulatore nga viti 2028, pritet të ushtrojnë presion të mëtejshëm mbi financat publike të Zvicrës./Telegrafi/




