Gjykata e Krimeve të Rënda në Romë ka dënuar me burgim të përjetshëm Mark Antony Samsonin, 24-vjeçarin me origjinë italo-filipinase, për vrasjen e ish-të dashurës së tij, Ilaria Sula, në mars të vitit 2025.

Vendimi u shpall të martën, më 27 tetor, për një krim që tronditi opinionin publik italian. Sula, 22 vjeçe, ishte studente e statistikës në një universitet të Romës dhe kishte lindur në rajonin e Umbrias.
Sipas agjencisë italiane të lajmeve ANSA, Samson u shpall fajtor për vrasje me rrethana rënduese, përfshirë paramendimin, si dhe për fshehjen e kufomës.
24-vjeçari e kishte vrarë ish-partneren e tij me thikë, përpara se ta fuste trupin e saj në një thes dhe ta hidhte në një greminë, në përpjekje për të fshehur krimin.
Samson, i diplomuar në arkitekturë, e kishte pranuar se e kishte kryer vrasjen gjatë marrjes në pyetje nga policia në prill të vitit 2025.
Sipas dëshmisë së tij, ngjarja kishte ndodhur mëngjesin e 26 marsit, pasi Ilaria kishte kaluar natën në apartamentin e tij, në rrugën Via Homs, në lagjen Africano të kryeqytetit italian.
E reja kishte shkuar në banesën e ish-partnerit mbrëmjen e 25 marsit për t’i kthyer disa rroba. Sipas versionit të dhënë nga Samson, vizita ishte zgjatur dhe ajo kishte vendosur të qëndronte gjatë natës, në vend që të kthehej në shtëpi me autobusin e natës.
Çifti ishte ndarë pak kohë para ngjarjes, pas një lidhjeje disamujore, e cila, sipas dëshmisë së të dënuarit, kishte kaluar periudha të vështira.
Me vendimin e 27 tetorit, gjykata i shqiptoi Samsonit dënimin më të rëndë të parashikuar nga legjislacioni penal italian: burgimin e përjetshëm.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




