Mijëra shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Mbretërinë e Bashkuar mund të përballen me pritje më të gjatë për të fituar të drejtën e qëndrimit të përhershëm, pasi qeveria britanike po përgatit ndryshime të rëndësishme në sistemin e emigracionit.

Sipas propozimeve të publikuara nga sekretarja e Brendshme, Shabana Mahmood, periudha standarde për të aplikuar për lejen e qëndrimit të përhershëm, e njohur si Indefinite Leave to Remain (ILR), mund të zgjatet nga pesë në dhjetë vjet.
Ndryshimi mund të prekë drejtpërdrejt shqiptarët që kanë emigruar ligjërisht në Britani përmes vizave të punës dhe që aktualisht janë duke plotësuar kushtet për të aplikuar për qëndrim të përhershëm.
Për një pjesë të punëtorëve me paga më të ulëta, periudha e pritjes mund të arrijë deri në 15 vjet, veçanërisht për ata që janë pjesë e sektorit të kujdesit social.
Sipas raportimit të gazetës britanike The Guardian, qeveria po shqyrton gjithashtu mundësinë që disa kategori punëtorësh të përfitojnë përjashtime ose lehtësime, përfshirë personat që tashmë punojnë në Britani në sektorin e kujdesit.
Megjithatë, mbetet e paqartë se deri në çfarë mase këto përjashtime do të zbatohen dhe nëse do të përfshijnë edhe familjarët e tyre, transmeton Telegrafi.
Një tjetër element i rëndësishëm i reformës është vendosja e kritereve më të forta për marrjen e statusit të përhershëm.
Emigrantët pritet të duhet të dëshmojnë njohuri të avancuara të gjuhës angleze, të kenë një histori të pastër kriminale, të mos kenë borxhe ndaj shtetit dhe të provojnë kontribut të vazhdueshëm ekonomik e shoqëror në vend.
Në disa raste, të ardhurat më të larta dhe angazhimi në komunitet mund të shërbejnë për shkurtimin e periudhës së pritjes.
Shqetësimi kryesor për emigrantët shqiptarë dhe komunitetet e tjera të huaja lidhet me mundësinë që rregullat e reja të zbatohen edhe për personat që tashmë jetojnë në Britani, por që ende nuk e kanë fituar statusin e përhershëm.
Kjo do të nënkuptonte se edhe ata që kanë emigruar duke llogaritur se pas pesë vjetësh do të mund të aplikonin për ILR, mund të përballen me kushte dhe afate të reja.
Propozimet kanë shkaktuar kundërshtime edhe brenda politikës britanike.
Deputetë, sindikata dhe organizata që mbrojnë të drejtat e emigrantëve kanë paralajmëruar se zgjatja e afateve mund të krijojë pasiguri për mijëra punëtorë të huaj dhe familjet e tyre.
Ata kanë ngritur shqetësime se ndryshimi i rregullave për personat që tashmë kanë ndërtuar jetën në Britani mund të ngjajë me praktika që çuan në skandalin Windrush, ku qytetarë me të drejtë qëndrimi u përballën me trajtim të padrejtë nga autoritetet.
Për shqiptarët që jetojnë në Britani, rëndësia e këtyre ndryshimeve do të varet nga vendimi përfundimtar i qeverisë, veçanërisht nëse rregullat e reja do të zbatohen edhe për emigrantët që kanë mbërritur gjatë viteve të fundit. Ndërkohë, personat që e kanë fituar tashmë statusin e qëndrimit të përhershëm nuk pritet të preken nga reforma.
Qeveria britanike argumenton se qëndrimi i përhershëm duhet të fitohet përmes kontributit ekonomik, integrimit dhe respektimit të ligjeve, ndërsa kundërshtarët e reformës kërkojnë garanci që emigrantëve të mos u ndryshohen në mënyrë të padrejtë kushtet pasi kanë ndërtuar jetën e tyre në vend./Telegrafi/




