Kandidati i mundur i së djathtës në zgjedhjet presidenciale të Brazilit, Flávio Bolsonaro, ka deklaruar se është udhëheqësi i vërtetë i vendit, pasi u largua drejt Shteteve të Bashkuara për të nisur atë që e cilësoi si një mërgim të vetëvendosur.

Bolsonaro mbërriti të mërkurën në Florida me një avion privat, në aeroportin ekzekutiv Opa-Locka, pranë Miamit. Largimi i tij dhe deklaratat kundërshtuese vijnë pas fitores së presidentit të majtë Luiz Inácio Lula da Silva në raundin e dytë të zgjedhjeve, të mbajtur të dielën.
Në një deklaratë të publikuar në llogarinë e tij në platformën X, Bolsonaro pretendoi se ishte presidenti i zgjedhur dhe akuzoi kundërshtarët për vjedhjen e zgjedhjeve.
Ai i përshkroi ata si pjesë të një organizate kriminale që, sipas tij, ka vendosur një tirani në Brazil, duke ngritur gjithashtu akuza për mashtrim zgjedhor, transmeton Telegrafi.
“Unë do ta udhëheq opozitën nga këtu”, deklaroi ai. Në një reagim të mëvonshëm, ai e ndryshoi formulimin, duke u vetëquajtur “udhëheqës”, dhe jo “president”.
Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka lidhje të forta me Flávio Bolsonaro dhe babanë e tij, Jair Bolsonaro. Ky i fundit ndodhet në arrest shtëpiak në Brazil, pasi u përpoq të përmbyste rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2022, të fituara nga Lula.
Trump përsëriti qëndrimin e tij se zgjedhjet në Brazil kishin qenë “shumë të çuditshme”, por u tha gazetarëve se nuk do të ndërhyjë në pretendimin e Flávio Bolsonaro-s për presidencën.
Rrethanat e largimit të tij drejt SHBA-së ende po bëhen të qarta. Sipas raportimit, Bolsonaro udhëtoi i shoqëruar nga bashkëshortja dhe vajzat e tij, duke kaluar përmes Argjentinës dhe Ekuadorit përpara se të mbërrinte në Shtetet e Bashkuara.
Ai po hetohet në Brazil për dyshime lidhur me korrupsionin dhe pastrimin e parave. Me imunitetin e tij parlamentar që pritet të përfundojë së shpejti, atij i ishte kërkuar të dorëzonte pasaportat, por ai u largua nga vendi pavarësisht këtij urdhri. /Telegrafi/




