Biografia e Enver Hoxhës e vitit 1969: Takimi me Ali Kelmendin në Gjirokastër!

Biografia e Enver Hoxhës e vitit 1969: Takimi me Ali Kelmendin në Gjirokastër!

Biografia e Enver Hoxhës e vitit 1969: Takimi me Ali Kelmendin në Gjirokastër!

Edhe pse ishte udhëheqësi kryesor i Shqipërisë komuniste për 40 vjet me radhë … nuk u botua kurrë një biografi zyrtare e plotë për Enver Hoxhën, ndonëse vetë ai la të shkruar një seri veprash me rreth 80 vëllime. Madje as pas viteve ’90-të të shekullit XX e deri më sot, nuk është botuar ende një biografi për ish-diktatorin komunist Enver Hoxha, e bazuar mbi dokumente arkivore që hedhin dritë mbi origjinën e hershme të familjes, me pemën gjenealogjike të saj, si dhe një jetëshkrim të tij nga dita që lindi e deri kur vdiq… Kjo, me sa duket, edhe për faktin se gjatë gjithë jetës së tij ka pasur shumë dritëhije, madje shumë njolla të errëta, të cilat bënë që ai vetë të mos jepte kurrë miratimin për botimin e një biografie të tij në një libër të veçantë – edhe pse ato biografi kanë ekzistuar në të vërtetë. Madje tre të tilla dhe me autorë të ndryshëm, të cilat gjenden edhe sot në fondin personal të Enver Hoxhës, në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë … Biografia e tretë për Enver Hoxhën u shkrua në vitin 1969 dhe ajo ka për autor Aqif Selfon, shok i ngushtë i fëmijërisë dhe rinisë me Enverin dhe fqinj i tij në qytetin e Gjirokastrës e, më pas në Liceun francez të Korçës, ku studiuan së bashku dhe Selfo shërbeu për disa kohë edhe si kujdestar konvikti pranë atij liceu … Kjo biografi, apo më saktë një jetëshkrim, siç e ka titulluar vetë autori i saj (ka 124 faqe me shkrim dore, ndërsa të daktilografuara 82 faqe), ashtu si dhe ato të Ndreçi Plasarit dhe Misto Treskës, nga fillimi në fund e glorifikon figurën dhe rolin e Enver Hoxhës, madje me shtrembërime dhe falsifikime të ngjarjeve dhe fakteve historike …

Sponsor 3M Express

Nga: Dashnor Kaloçi

… Po në verën e vitit 1936, Enveri, duke qenë në Gjirokastër, pati rastin të njihet edhe me militantin Ali Kelmendi [1900-1939, komunist i lindur në Pejë, vdiq në Paris]. Ali Kelmendi, si shumë të tjerë pjesëmarrës në revolucionin demokratike-borgjez të qershorit 1924, pas kthimit në dhjetor të 1924, të fuqive kundër-revolucionare të Zogut, u detyrua të merrte rrugën e mërgimit jashtë shtetit. Ai shkoi në Bashkimin Sovjetik, ku studioi marksizëm-leninizmin. Këtu ai qëndroi, për disa vjet, deri më 1930.

Po në vitin 1930, Aliu kthehet në Shqipëri. Në Shqipëri Aliu punoi në kushte shumë të vështira, me të gjitha fuqitë e tij për të përhapur idetë komuniste. Në fillim të vitit 1932 del përsëri jashtë shtetit dhe kthehet brenda po atij viti në Shqipëri. Në këtë kohë ai bën një punë të madhe në shumë qytete të Shqipërisë, veçanërisht me Grupin Komunist të Korçës. Por, aktiviteti i tij bie në sy të autoriteteve të vendit, për këtë arsye internohet në qytete të ndryshme dhe më në fund në Korçë, ku qëndroi më se dy vjet. Aliu megjithëse ishte i internuar, me kontaktet e tij që kishte me anëtarët e Grupit të Korçës, dha një kontribut të madh në ngritjen e ndërgjegjes komuniste të anëtarëve të grupit.

Ali Kelmendi, në fund të vitit 1935, pasi u lirua me kusht, nga internimi, shkoi në Tiranë, por këtu ai u arrestua dhe u nxuar jashtë Tiranës. Ai u kthye përsëri në Korçë, prej këndej, me vendim të qendrës së Korçës shkoi jashtë shtetit, në Greqi dhe në Turqi. Qëllimi i këtij udhëtimi, në këto dy shtete ishte që të binte në kontakt, në Greqi, me Partinë Komuniste Greke dhe, në Turqi, me Kominternin. Po si në Greqi ashtu edhe në Turqi, Aliu nuk mundi të vinte në kontakt as me Partinë Komuniste Greke, as me Kominternin, prandaj u kthye përsëri në Shqipëri.

Ali Kelmendi duhet të jetë kthyer në Shqipëri në fund të qershorit, ose në ditët e para të korrikut të vitit 1936. Autoritetet e Korçës, sipas një shkrese dërguar Ministrisë së Punëve të Brendshme, lajmërojnë se Ali Kelmendi është marrë nën vërejtje më 6 korrik 1936 dhe se është përcjellë, i shoqëruar, për në Gjirokastër më 16 korrik 1936. Përcjellja e Ali Kelmendit, për në Gjirokastër, ishte bërë në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave, sipas të cilit Aliu internohej, për një vit, në Gjirokastër, si propagandist i rrezikshëm në dëm të interesave të shtetit.

Ali Kelmendi duhet të ketë mbërritur në Gjirokastër aty nga 25 korriku. Skënder Topulli, rreth ardhjes së Aliut në Gjirokastër, thotë: “Një mëngjes, që sapo kisha dalë nga shtëpia, një shofer, që vinte nga Korça, më dorëzoi një letër, të cilën ja kish besuar një shok në Korçë, për të ma dhënë. Në këtë letër më njoftonin ardhjen e Ali Kelmendit si të internuar në Gjirokastër dhe më luteshin që t’i njoftoja ardhjen e tij, me që dyshonim se mos e vrisnin në rrugë. Kaluan ditë dhe Aliu nuk po dukej në Gjirokastër. Kur një mëngjes, aty nga ora 10, një grumbull studentë, në mes të cilëve edhe shoku Enver, rrinim duke bërë muhabet në kafene ‘Royal’, shoh se zbret shkallët e hotelit një burrë i regjur, kokë jashtë dhe pa xhaketë’. Ai ishte ‘Maloku’ (Ali Kelmendi). Alinë e kisha njohur në Korçë, para se të shkoja në Francë në vitin 1931, kur ai ishte internuar për herë të parë në Korçë. Ngrihem dhe e kap nga krahu, u përshëndeta me të dhe vazhduam rrugën tatëpjetë që të çonte në kafenenë e Xhemaliut.”

Skënderi, pasi tregon bisedën që pati me Alinë, për vonesën e ardhjes në Gjirokastër, për shëndetin e tij, për udhëtimin në Turqi e të tjera, vazhdon: “Mandej Aliu më pyeti për të gjithë ata shokë që ishin në kafe. Unë iu përgjigja se janë të gjithë të mirë, pjesërisht janë studentë të kthyer nga jashtë dhe pjesërisht janë arsimtarë e studentë të brendshëm. Ndërmjet tyre, i shtova Aliut, është dhe shoku Enver, një djalë xhevahir dhe i pregatitur mirë me ide dhe koncepte përparimtare, ai gëzon simpatinë dhe autoritet në të gjithë ata që pe atje, tani që je midis nesh do t’i njohësh të gjithë dhe kështu u ndamë. Në mbasdite takohem përsëri me Alinë në kafenenë e Serjanit, në sheshin e ‘Çerçizit’ ku kishim zakon të takoheshim në mbrëmje me shokët. Në këtë kohë vjen edhe shoku Enver dhe disa nga shokët e tjerë. Ky qe takimi i parë i shokut Enver me Alinë. Aty filloi një bisedë interesante, por meqë u grumbulluan shumë shokë dhe policët e spiunët vinin rreth nesh, u ngritëm dhe bëmë një shëtitje deri në një nga bregoret e qytetit. Atje Aliu më foli mbi situatën ndërkombëtare, mbi regjimin e urryer të Zogut dhe na foli për grupin e rinisë së Korçës dhe se si duhet punuar me elementin e mirë”.

Gjatë qëndrimit të tij të shkurtër në Gjirokastër, Ali Kelmendi pati shumë takime me të rinjtë, me intelektualët dhe me punëtorët, por të gjitha këto bëheshin, sidomos takimet e Aliut me punëtorët, në mënyrë shumë të fshehtë që të mos binin në sy. Megjithëkëtë, ai ndiqesh këmba këmbës nga policët, xhandarët dhe detektivët. Kështu që autoritetet e Gjirokastrës kishin frikë nga qëndrimi i Aliut në Gjirokastër. Për këtë arsye, prefektura e Gjirokastrës, në një shkresë rezervate që i dërgon Ministrisë së Punëve të Brendshme, propozohet që Ali Kelmendi të dërgohet si i internuar në Porto Palermo.

Rreth kësaj çështje, Skënder Topulli thotë: “Nuk u mbushën dy muaj, kur një mëngjes, që ishim duke biseduar me shoku Enver në kafe ‘Royal’ na vjen ‘Maloku’ ashtu i qetë, si e kishte natyrën dhe na thotë se sot më njoftuan një urdhër të Tiranës, ku thuhet se Ali Kelmendi, po qe se dëshiron të qëndrojë në Shqipëri, duhet t’i drejtohet burgut të kalasë, ose ndryshe të nxirret jashtë shtetit dhe shtoi se fundja dhe në burg nuk është keq, se atje ka boll milet dhe duhet punuar me ta.’ Unë i thashë se ti nuk duhet të hysh në burg, meqë shëndeti nuk ta lejon, por ti duhet të dalësh jashtë shtetit dhe më vonë vjen përsëri; gjithashtu ndërhyn dhe shoku Enver dhe i thotë: ashtu Ali, mirë të thotë Skënderi, ti nuk duhet të hysh në burg, se atje nuk të premton shëndeti, por ti duhet të dalësh jashtë shtetit, të stabilizosh shëndetin dhe kthehesh përsëri. “A thoni?” – ia priti Aliu, po i themi që të dy. Kështu u vendos që Aliu të ikte jashtë shtetit dhe të kthehej përsëri, pasi të përmirësohej nga shëndeti.”

Kurse revista “Agitatori” nr.5, tetor 1947 – në artikullin “Enver Hoxha – biografi e shkurtër” – shkruan rreth takimit të Enverit me Ali Kelmendin: “Ishte parë në Gjirokastër, në kohën e vakancave, kur ay ishte kthyer nga Franca. Ishin ditët e fundit që Aliu do të jetonte në Shqipëri, pse pas një kohe të gjatë internimi në kështjellën e Gjirokastrës, kishte marrë urdhër ekspulsimi jashtë Shqipërisë, nga organet qeveritare të Zogut. Enveri mban mend tekstualisht porosinë e fundit që i dha Aliu, kur po ndaheshin: ‘Me gjithë shtypjen dhe terrorin e Zogut, ne duhet të organizojmë luftën kundër regjimit’.”

Ali Kelmendi ashtu veproi. Pasi u pajis me dokumentet përkatëse shkoi jashtë shtetit, në Francë. Ikja e Aliut nga Shqipëria, duhet të ketë qenë në ditët e para të shtatorit 1936. Këtë e vërteton shkresa sekrete e prefekturës së Gjirokastrës datë 10 shtator 1936, drejtuar Ministrisë së Punëve të Brendshme, si përgjigje urdhrit sekret datë 3 gusht 1936. Në këtë shkresë thuhet: “Kemi nderin me ju parashtrua se Ali Sulejman Kelmendi, me anën e Vlorës iku përjashta shtetit.”

Rreth takimit të Enverit me Ali Kelmendin në Gjirokastër dhe mendimi i Aliut për Enverin, në librin “Ali Kelmendi”, botim i Institutit të Historisë së Partisë pranë Komitetit Qendror të PPSh-së, Tiranë më 1960, në faqen 13 thuhet: “Këtu Aliu pati edhe disa takime me shokun Enver Hoxha, tek i cili shihte një marksist-leninist të vendosur dhe të pjekur. Ai vetë u ka deklaruar shokëve në emigracion se kishte mbetur shumë i kënaqur nga takimet me shokun Enver Hoxha.”

Ali Kelmendi edhe duke qenë në emigracion, krahas punës së madhe që kishte, nuk i ndërprenë marrëdhëniet me shokët. Ai me anë të letrave, brenda mundësive që kishte, jepte herë pas here informata të vlefshme mbi disa çështje që interesonin së tepërmi lëvizjen komuniste në Shqipëri. Rreth kësaj çështjeje, Skënder Topulli thotë: “Aty nga viti 1938, Ali Kelmendi më dërgoi një letër të gjatë, ku na sinjalizonte devijimin e Zoi Fundos dhe na njoftonte që së shpejti pregatitesh për t’u kthyer në Korçë dhe se duhet të kishim kujdes që të mos lejohej të vinte në kontakt me shokët e grupit. Këtë letër ia kam dhënë shokut Enver. Shkuan pak kohë dhe shohim që Zoi u kthye në Korçë. Meqë grupi i Korçës ish në korrent mbi devijimin e tij, Zoin e shihje të shoqërohej me trockistin Dhimitër Fallo dhe Faslli Frashëri (reaksionar nga familje bejlerësh të Korçës). Nga sa mbaj mënd unë, shoku Enver, në bazë të letrës, bëri çmos që Zoit t’i çirresh maska dhe të njihesh si deviator.” /Memorie/

Lexo edhe

KPK publikon arsyet e suspendimit të prokurores Nallbani-Gacaferri: Ishte në dijeni për kërcënimin ndaj Arlinda Zekajt

KPK publikon arsyet e suspendimit të prokurores Nallbani-Gacaferri: Ishte në dijeni për kërcënimin ndaj Arlinda Zekajt

“Arrogancë dhe cinizëm”, Arifi kërkon dorëheqjen apo shkarkimin e Gërvallës dhe Sveçlës

“Arrogancë dhe cinizëm”, Arifi kërkon dorëheqjen apo shkarkimin e Gërvallës dhe Sveçlës

Alpine sfidon trendin elektrik, lë të hapur derën për motorët me benzinë

Alpine sfidon trendin elektrik, lë të hapur derën për motorët me benzinë

Biografia e Enver Hoxhës e vitit 1969: Takimi me Ali Kelmendin në Gjirokastër! | Momenti