Në një deklaratë, anëtarët nënshkrues të këtij grupi kanë shprehur mbështetjen për qytetarët dhe studentët e Shqipërisë, të cilët po kërkojnë llogaridhënie, mbrojtje të mjedisit, kushte të dinjitetshme në arsimin e lartë dhe një të ardhme për të rinjtë në vendin e tyre.
Sipas autorëve, lëvizja “Flamingo” prej muajsh po organizon protesta paqësore kundër korrupsionit dhe mënyrës se si merren vendimet për të ardhmen e vendit, ndërsa që nga mesi i tetorit, protestave u janë bashkuar edhe shumë studentë, të cilët kanë ngritur shqetësime për koston e arsimit, gjendjen e universiteteve dhe mungesën e perspektivës për brezin e tyre.

“Këto kërkesa meritojnë shqyrtim serioz dhe janë ngushtë të lidhura me vlerat themelore demokratike të Bashkimit Evropian dhe kërkesat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE”, thuhet në deklaratë.
Anëtarët e BiEPAG-ut kanë dënuar dhunën gjatë protestave të fundit dhe atë që e cilësojnë si reagim joproporcional të organeve të rendit.
“Reagimi i autoriteteve duhet të mbetet proporcional, ndërsa pretendimet për përdorim të tepruar të forcës ndaj protestuesve, gazetarëve dhe të miturve që marrin pjesë në protesta duhet të hetohen në mënyrë të pavarur”, kanë shkruar ata.
Autorët kanë shprehur gjithashtu shqetësim për masat e shpallura nga qeveria pas trazirave, duke vlerësuar se ato “duket se synojnë hakmarrjen dhe jo drejtësinë”.
Në deklaratë, ata kanë theksuar se pajtohen me Komisionin Evropian që pakënaqësitë në një vend kandidat për anëtarësim duhet të trajtohen përmes dialogut konstruktiv.
Duke iu referuar angazhimit të mëhershëm të përfaqësuesve evropianë në Shqipëri, autorët kanë thënë se vizitat e anëtarëve të Parlamentit Evropian në Tiranë gjatë verës ndihmuan që shqetësimet e protestuesve të përfshiheshin në debatin evropian.
Ata kanë përmendur edhe qëndrimin e komisionerit Kos, i cili, sipas deklaratës, ka theksuar se mbrojtja e mjedisit dhe trajtimi demokratik i protestave janë pjesë e angazhimeve të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit.
“Integrimi në BE nuk duhet të jetë thjesht një proces i negociuar ndërmjet qeverive; ai duhet të jetë gjithashtu një proces në të cilin zërat e qytetarëve dëgjohen dhe kërkesat e tyre për llogaridhënie demokratike merren seriozisht”, thuhet në deklaratë.
Sipas autorëve, refuzimi i qeverisë për t’i trajtuar në mënyrë domethënëse këto kërkesa, së bashku me rastet e konfirmuara të përdorimit të tepruar të dhunës policore, e ka bërë më të vështirë zhvillimin e një dialogu të besueshëm.
“Një proces i mirëfilltë kërkon një lehtësues, të cilit mund t’i besojnë të dyja palët. BE-ja është i vetmi aktor i besueshëm që mund ta luajë këtë rol dhe ka një histori pozitive në këtë drejtim”, kanë shkruar anëtarët e grupit.
Ata kanë vlerësuar se Bashkimi Evropian ka mundësinë dhe përgjegjësinë për të ndihmuar në gjetjen e një zgjidhjeje për krizën politike në Shqipëri, përpara se ajo të përshkallëzohet më tej.
Në përfundim, BiEPAG i ka bërë thirrje BE-së që të përdorë instrumentet në dispozicion për të lehtësuar dialogun ndërmjet qeverisë dhe përfaqësuesve të studentëve, protestuesve dhe shoqërisë civile.
“Besueshmëria e procesit të zgjerimit varet nga fakti nëse BE-ja qëndron në krah të qytetarëve që kërkojnë pikërisht standardet demokratike të cilat ajo u kërkon vendeve kandidate t’i respektojnë”, thuhet në deklaratën e Grupit Këshillues të Politikave për Ballkanin në Evropë.
Burimi: RTKLive




