Bien aksionet e Nvidia-s, kompania heton pretendimet për lidhjet e drejtorit ekzekutiv me spiunazhin kinez

Bien aksionet e Nvidia-s, kompania heton pretendimet për lidhjet e drejtorit ekzekutiv me spiunazhin kinez

Bien aksionet e Nvidia-s, kompania heton pretendimet për lidhjet e drejtorit ekzekutiv me spiunazhin kinez

Aksionet e gjigantit amerikan të teknologjisë Nvidia kanë rënë rreth 8 për qind në tregtimin e së hënës, pas nisjes së një hetimi të brendshëm lidhur me pretendimet se drejtori ekzekutiv i kompanisë, Jensen Huang, mund të ketë qenë cak i një operacioni të inteligjencës së huaj.

Hetimi, i njoftuar të dielën, pasoi raportimet mediatike se Huang kishte pasur një marrëdhënie të afërt me një biznesmene kineze, e cila dyshohet se i kishte përcjellë informacione Pekinit, raporton Reuters.

Sponsor 3M Express

Huang u ka thënë punonjësve të Nvidia-s se kishte qenë jobesnik ndaj bashkëshortes së tij, por nuk ka dhënë detaje të tjera për marrëdhënien.

Rasti ka vënë në pikëpyetje të ardhmen e Huang në krye të kompanisë, e cila është prodhuesi më i vlefshëm në botë i çipave dhe një prej aktorëve kryesorë në zhvillimin e inteligjencës artificiale.

Sipas të dhënave të LSEG, Huang zotëron rreth 3.6 për qind të aksioneve të Nvidia-s, duke qenë aksionari i pestë më i madh i kompanisë. Ai gjithashtu ka kontroll të konsiderueshëm mbi funksionimin e saj, pasi dhjetëra drejtues raportojnë drejtpërdrejt tek ai.

Rënia e aksioneve në tregtimin e së hënës, pas humbjeve të javës së kaluar, mund të nënkuptojë humbje prej rreth 350 miliardë dollarësh në vlerën e tregut të kompanisë, krahasuar me mbylljen e fundit të bursës.

Analisti Chris Weston, nga kompania e ndërmjetsimit, Pepperstone, tha se tregu po e reflektonte negativisht situatën, në një kohë kur ka pasiguri lidhur me investimet në qendrat e të dhënave.

Megjithatë, ai nuk beson se Huang do të largohet nga drejtimi i Nvidia-s. Sipas tij, nëse tregu do ta konsideronte seriozisht mundësinë e dorëheqjes së tij, rënia e aksioneve do të ishte edhe më e madhe.

Bordi i drejtorëve të Nvidia-s ka shprehur besimin te Huang, ndërsa disa analistë kanë vlerësuar se kompania nuk ka një pasardhës të natyrshëm në rast se ai vendos të largohet.

New York Times raportoi muajin e kaluar se Huang kishte pasur një marrëdhënie me Alice Huang, ish-drejtuese e kompanisë Megaspeed, me seli në Singapor. Ajo ishte hetuar nga autoritetet amerikane, të cilat kishin arritur në përfundimin se ishte aset i inteligjencës kineze.

Ministria e Jashtme e Kinës i ka cilësuar pretendimet për spiunazh si akuza të pabazuara dhe shpifje.

Ndërkohë, rasti ka pasur ndikim edhe në aktivitetet e planifikuara të Nvidia-s në Korenë e Jugut. Madison Huang, vajza e drejtorit ekzekutiv dhe njëkohësisht drejtuese në kompani, ka anuluar vizitën e planifikuar në Seul, ku do të merrte pjesë në një konferencë të Nvidia-s.

Kompanitë që pritej ta takonin atë kanë bërë të ditur se aktivitetet janë anuluar për shkak të rrethanave të brendshme të pashmangshme në Nvidia.

Pavarësisht kësaj, konferenca dyditore Nvidia AI Day Seoul, ku pritet të marrin pjesë rreth 2 mijë persona për të diskutuar inteligjencën artificiale dhe infrastrukturën teknologjike, do të mbahet sipas planit.

Në zhvillimet e fundit kanë reaguar edhe figura të njohura të biznesit dhe politikës amerikane. Investitori Bill Ackman e ka cilësuar Huangun si një person të jashtëzakonshëm, por ka thënë se nëse rasti shkon përtej një lidhjeje jashtëmartesore, atëherë përbën problem serioz.

Edhe drejtori ekzekutiv i Tesla-s, Elon Musk, ka mbështetur një koment që e cilësonte veprimin e Huangut si të pamatur dhe potencialisht të dëmshëm për interesat amerikane, por që njëkohësisht e konsideronte atë të pazëvendësueshëm për lidershipin amerikan në inteligjencën artificiale.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se nuk ka diskutuar me Huangun për pretendimet, por e ka cilësuar atë si person të respektuar dhe ka shprehur shpresën që gjithçka të jetë në rregull.

Analistët paralajmërojnë se një hetim i zgjatur mund të ndikojë në vendimet për investime dhe lansimin e produkteve të reja të Nvidia-s, duke pasur pasoja edhe për industrinë e gjysmëpërçuesve.

Megjithatë, zëvendësministri i Shkencës i Koresë së Jugut ka deklaruar se qeveria nuk pret ndërprerje të furnizimeve të kontraktuara me procesorët grafikë të Nvidia-s.

Burimi: Dukagjini

Lexo edhe

Sulmet ruse godasin disa qytete të Ukrainës

Sulmet ruse godasin disa qytete të Ukrainës

299 raste me fruth në Kosovë, 30 të konfirmuara gjatë javës së fundit

299 raste me fruth në Kosovë, 30 të konfirmuara gjatë javës së fundit

Përplasje në Komisionin Hetimor për rastin Arlinda Zekaj

Përplasje në Komisionin Hetimor për rastin Arlinda Zekaj