Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i pyetur këtë të shtunë nëse do të marrë pjesë në protestën kombëtare të thirrur nga PD-ja apo do ta ndjek nga zyra, u shpreh se Shqipëria është e tëra në Tiranë, në mbështetje totale të studentëve dhe se fundi i kryeministrit Rama po vjen.

“Sot, Shqipëria është e tëra në Tiranë në mbështetje totale të studentëve dhe kundër narkodiktatorit që po përdor dhunë barbare ndaj tyre. Sot, studentë, sindikata, forca politike opozitare, janë në mbështetje më të fuqishme të revoltës studentore.
Me dhjetëra mijëra shqiptarë po vijnë nga të katër anët e vendit, kanë ardhur mbrëmë.
Beteja e narkodiktatorit, beteja e Edvin Kristaq Xhelatit ndaj studentëve do të jetë fundi i tij i turpshëm, fundi që meriton”, tha ai.




