Gazetari Besian Beha, ka deklaruar se Dhomat e Specializuara në Hagë kanë dizajnuar rastet e gjykuara në Hagë, në mënyrë që aktgjykimi përfundimtar ndaj katërshes së UÇK-së të përfundojë me fajësinë për ndërmarrjen e përbashkët kriminale.

Për këtë, ai ka përmendur rastin e Sali Mustafës, si dhe të Pjetër Shalës, duke thënë se e gjitha ka shkuar në funksion të atij qëllimi.
“E kanë marrë rastin e Calit dhe të Pjetër Shalës, kanë konstatu se ka ekzistuar ndërmarrja e përbashkët kriminale dhe mbi këtë bazë të njëjtat vendime dhe detaje që janë diskutuar përgjatë këtyre proceseve, jam i bindur që janë përfshirë në aktgjykimin ndaj katërshes së UÇK-së. Cali është dënuar për një viktimë, të cilën trupi gjykues e pranon se Sali Mustafa nuk e ka vrarë, por thotë se duke qenë i ndaluar ky nuk e ka marrë asnjë veprim për ta liruar, në kohën kur ofensiva serbe ka hy dhe këta kanë qenë në një fushëbetejë.”, ka thënë Beha.
Ai ka shtuar se dizajnimi dhe mënyra e ndërtimit të këtyre rasteve do të duhej që shoqërinë dhe shtetin e Kosovës t’i zgjonte më herët për të kundërshtuar formën se si trajtohej procesi në Hagë.
Por, ai ka deklaruar se edhe mbrojtja e katërshes së UÇK-së ishte lënë e vetme, pa asnjë ndihmë.
“Mbrojtja e krerëve të UÇK-së ka qenë e vetmuar, asnjë ndihmesë nuk e ka pas. Komplet kemi qenë në gjumë, si shtet, si shoqëri dhe në fund, kur u dha dënimi, atëherë e kemi parë çfarë ka ndodhur.”, ka thënë ai.
Beha ka shtuar se pas aktgjykimit dënues në Hagë më 16 shtator, shoqëria duket se e ka kaluar euforinë dhe sot më nuk ka vëmendjen siç e pati atëherë.
Derisa, ka theksuar se përgatitja për Apel duhet të jetë shumë e madhe.
“Nuk është shumë shpresëdhënës sa i përket trupit gjykues, sepse është i njëjti që ka qenë në rastin e Calit dhe të Pjetër Shalës.”, ka thënë Beha. /Klankosova.tv




