Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, e ka cilësuar si të qëllimshëm interpretimin e këngës nacionaliste serbe në koncertin e organizuar në prag të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel, duke thënë se një veprim i tillë nuk mund të konsiderohet thjesht gafë apo pakujdesi.
Në FIVE të TV Dukagjinit, Arifi ka thënë se institucionet e Bashkimit Evropian janë shumë të kujdesshme edhe në detajet më të vogla të komunikimit publik, prandaj, sipas tij, është vështirë të besohet se përzgjedhja e një kënge me konotacione të tilla ka ndodhur pa u ditur përmbajtja dhe domethënia e saj.

Ai ka vlerësuar se interpretimi i kësaj kënge, e cila përmban mesazhe nacionaliste dhe pretendime territoriale ndaj Kosovës, përbën glorifikim të krimeve.
“Gafë nuk mund të jetë. Nuk po besoj që aq të padijshëm nuk janë. Mos të harrojmë që në BE ka protokoll, ata edhe detajet se çfarë titulli do të përdoret, për shembull në komunikata për media, janë të kujdesshëm, edhe për presje e pika. E mos të flasim për një muzikë që mund të ketë konotacione shumë negative, jo vetëm për shqiptarët, por për vetë BE-në. Pra, provimi i një kënge të tillë është glorifikim i krimeve”, ka deklaruar Arifi.
Sipas tij, në këtë rast ka një kundërthënie në qasjen e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës dhe Serbisë. Arifi ka thënë se, derisa BE-ja vazhdimisht u kërkon shqiptarëve të mos e mbrojnë luftën çlirimtare, në anën tjetër, përmes një ngjarjeje të organizuar në kuadër të aktiviteteve të saj, promovohen elemente të një lufte që ai e cilëson kriminale.
“BE gjatë gjithë kohës po na thotë mos e mbroni luftën çlirimtare, neve shqiptarëve. E vetë po e promovon luftën kriminale. Kjo është një lloj hipokrizie dhe pabesie e qëllimshme”, ka thënë ai.
Arifi ka vlerësuar se interpretimi i këngës mund të përcjellë edhe një mesazh politik në raport me zhvillimet në Serbi, duke e ndërlidhur atë me përpjekjet për të krijuar perceptimin e një Serbie të re, pa ndryshime thelbësore në qasjen e saj.
Sipas tij, kjo mund të jetë një formë e dualizmit politik, përmes së cilës krijohet përshtypja se po ndodh një ndryshim në Serbi, ndërkohë që, siç ka thënë ai, ndryshon vetëm qeveria dhe jo qasja politike.
“Është një mesazh për qeverinë e re në Serbi, njëfarë dualizmi që po krijohet, kinse po krijohet një Serbi e re. E që në fakt s’po krijohet asgjë, vetëm ndryshim i qeverisë”, ka theksuar Arifi.
Ndërkohë, Komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka shprehur keqardhje për interpretimin e këngës në koncertin e organizuar në prag të Forumit të Zgjerimit të BE-së në Bruksel.
Kos shpreh keqardhje për këngën nacionaliste serbe në Forumin e Zgjerimit, fajëson muzikantët
Në një prononcim për gazetarët të hënën, më 16 nëntor, Kos ka thënë se përzgjedhja e këngës ishte përgjegjësi e muzikantëve dhe se ajo nuk pasqyron qëndrimet e Komisionit Evropian.
Ajo ka theksuar se është e vetëdijshme për vuajtjet dhe sakrificat që kanë përjetuar njerëzit në këtë pjesë të Evropës, duke shtuar se dallimet historike nuk duhet të pengojnë ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët evropiane.
Kënga “Sa Kosova zora sviće”, e njohur edhe si “Oj Kosovo, Kosovo”, u krijua në vitin 1989 nga këngëtari dhe kompozitori serb Lubomir Manasijeviq. Teksti i saj përmban referenca ndaj historisë mesjetare dhe trashëgimisë fetare serbe, por edhe pretendime për përkatësinë territoriale të Kosovës.
Burimi: Dukagjini





