Bashkimi Evropian ka mirëpritur vendimin e Presidentes së Kosovës, Justina Shiroka Pula, për kthimin në Kuvend për rishqyrtim të ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në një deklaratë, BE-ja rikujtoi se ka shprehur vazhdimisht shqetësim të thellë lidhur me nismën për ndryshimin e këtij ligji, si para ashtu edhe pas miratimit të tij nga Kuvendi i Kosovës më 6 tetor.
Bashkimi Evropian theksoi se pret të konsultohet nëse diskutimet për këtë ligj rifillojnë në Kuvend, në përputhje me shkëmbimin e letrave të vitit 2014 ndërmjet Përfaqësueses së Lartë të BE-së dhe Presidentit të Kosovës, ku përcaktohen modalitetet për konsultimin me BE-në para ndryshimit të legjislacionit.
“Në frymën e shkëmbimit të letrave të vitit 2014 midis Përfaqësueses së Lartë të BE-së dhe Presidentit të Kosovës, i cili përcakton modalitetet për konsultimin me BE-në përpara ndryshimit të legjislacionit, ne presim që Bashkimi Evropian të konsultohet nëse diskutimet rifillojnë në Kuvend. Sundimi i ligjit dhe mbrojtja e të drejtave themelore, përfshirë ato të viktimave dhe dëshmitarëve, mbeten me rëndësi parësore”, thuhet në deklaratën e BE-së.
BE-ja rikujtoi se Dhomat e Specializuara të Kosovës janë institucion i pavarur gjyqësor, i themeluar me vendimet e Kuvendit të Kosovës në vitet 2014–2015, bazuar në një marrëveshje të veçantë me Bashkimin Evropian.
Sipas deklaratës, ky institucion funksionon brenda sistemit juridik të Kosovës dhe është i përfshirë në Kushtetutën e vendit.
“Mandati aktual dhe pavarësia e tyre duhet të respektohen plotësisht dhe pa asnjë rezervë”, theksoi Bashkimi Evropian.
Në fund, BE-ja shprehu solidaritetin me të gjitha viktimat, të mbijetuarit dhe familjet e tyre, nga të gjitha komunitetet e prekura nga mizoritë e kryera gjatë luftës./Telegrafi/




