Bashkimi Evropian ka deklaruar se është ende herët të përcaktohet nëse vala e kërcënimeve të rreme me bomba ndaj fluturimeve në Evropë ka lidhje mes vete. Brukseli bëri të ditur se po e përcjell nga afër situatën në bashkëpunim me autoritetet kombëtare.

“Çdo kërcënim ndaj civilëve është i papranueshëm”, deklaroi të enjten komisioneri evropian për Transportin, Apostolos Tzitzikostas, përmes një postimi në platformën X, duke shtuar se është “shumë herët për të nxjerrë përfundime nëse incidentet e raportuara janë të ndërlidhura”.
Deklarata e tij vjen pas një vale kërcënimesh të rreme që kanë shënjestruar të paktën 14 fluturime evropiane gjatë tri ditëve të fundit. Si pasojë, avionë luftarakë të Italisë, Francës dhe Bullgarisë janë ngritur në ajër për të shoqëruar disa prej tyre, ndërsa aeroportet dhe autoritetet kanë aktivizuar procedurat e sigurisë.
Kërcënimet kanë prekur veçanërisht kompanitë ajrore me kosto të ulët dhe fluturimet drejt ose nga Bullgaria, Çekia dhe Italia, transmeton Telegrafi.
Në një nga rastet, avionët luftarakë italianë shoqëruan një fluturim të kompanisë Finnair nga Helsinki drejt Romës, ndërsa avionët francezë përcollën një aeroplan të Aer Lingus, i cili po udhëtonte nga Dublini drejt Romës, deri në një bazë ushtarake pranë Parisit. Ndërkohë, forcat ajrore bullgare shoqëruan tre avionë të tjerë të kërcënuar.
Në total, tri fluturime u detyruan të ndryshonin destinacionin, por të gjithë avionët u ulën në mënyrë të sigurt dhe gjatë kontrolleve nuk u gjetën mjete shpërthyese.
Deri më tani, gjatë kësaj jave janë raportuar më shumë se 20 kërcënime të rreme, ndërsa kompania ajrore Ryanair ka qenë cak i të paktën shtatë prej tyre.
Sipas një zëdhënësi të Ministrisë së Transportit të Bullgarisë, tri fluturime të Ryanair drejt Sofjes, nga Madridi, Kopenhaga dhe Londra (Stansted), janë shënjestruar me kërcënime për bomba. Dy prej tyre arritën të uleshin në Sofje, ndërsa fluturimi nga Londra u ridrejtua në aeroportin e Plovdivit, në lindje të kryeqytetit.
Ministria bullgare e Mbrojtjes konfirmoi se avionët luftarakë i shoqëruan të tri fluturimet. Pas uljes, avionët u kontrolluan nga autoritetet, por nuk u gjetën eksplozivë.
Edhe një fluturim i Finnair nga Helsinki drejt Romës u shoqërua nga një avion luftarak dhe iu nënshtrua kontrolleve nga ekspertët për bomba. Zëdhënësja e kompanisë, Stiina Tuunanen, konfirmoi se nuk ishte gjetur asgjë e pazakontë.
Ajo bëri të ditur gjithashtu se një tjetër kërcënim i rremë kishte shënjestruar fluturimin AY1471 nga Helsinki drejt Vjenës, pa dhënë detaje të tjera.
Ndërkohë, një fluturim i Wizz Air nga Milano drejt Varshavës u ridrejtua në Vjenë pas marrjes së një kërcënimi. Kompania deklaroi se vendimi ishte marrë në përputhje me protokollet dhe procedurat e përcaktuara të sigurisë.
Një tjetër fluturim i Wizz Air, nga Milano drejt Bukureshtit, arriti të ulej në destinacion, pas së cilës në aeroportin Henri Coanda u aktivizua një njësi emergjente.
Edhe avioni i Aer Lingus, që udhëtonte nga Dublini drejt Romës, u ridrejtua drejt Francës pas një kërcënimi me bombë. Ai u shoqërua nga avionë ushtarakë deri në bazën ajrore Évreux, në perëndim të Parisit. Kompania konfirmoi se avioni u ul në mënyrë të sigurt dhe se do të organizonte transportimin e udhëtarëve drejt destinacionit të tyre përfundimtar.
Katër avionë të tjerë që po udhëtonin drejt Pragës, të operuar nga Ryanair, EasyJet dhe Sky Express, u përballën gjithashtu me kërcënime.
Policia çeke deklaroi se kërcënimet konsideroheshin me besueshmëri të ulët, por theksoi se situata po trajtohej me seriozitet dhe se ishin aktivizuar të gjitha masat e nevojshme të sigurisë.
Zëdhënësja e Aeroportit të Pragës, Denisa Hejtmankova, bëri të ditur se kërcënimet ishin pranuar përmes postës elektronike nga adresa anonime. Megjithatë, nuk ishte e qartë se cilat kompani ajrore ishin përfshirë në këto raste.
Kërcënime të ngjashme janë raportuar edhe ndaj dy avionëve që mbërritën në Kopenhagë. Policia daneze deklaroi se, sipas vlerësimit të saj, nuk kishte pasur asnjë rrezik për pasagjerët apo personat e tjerë në aeroport.
Deri më tani, origjina dhe motivet e këtyre kërcënimeve mbeten të panjohura. Megjithatë, incidentet po ndodhin në një periudhë kur Evropa po përballet me shtim të sulmeve hibride, të cilat në disa raste autoritetet i kanë lidhur me Rusinë ose Iranin.
Sekretari i Përgjithshëm i Francës për Mbrojtjen dhe Sigurinë Kombëtare, Nicolas Roche, kishte paralajmëruar muajin e kaluar për shtimin e sulmeve hibride në Evropë, duke përmendur sabotimet, sulmet kibernetike, përdorimin e dronëve dhe spiunazhin.
Vetëm të martën, dhjetë fluturime evropiane ishin shënjestruar me kërcënime të ngjashme, të cilat rezultuan të gjitha të rreme. Incidentet detyruan mbylljen e përkohshme të një aeroporti në Varshavë dhe ngritjen e avionëve luftarakë italianë për të shoqëruar fluturimet e kërcënuara.
Ndërkohë, një tjetër incident ishte regjistruar të hënën, kur një fluturim i Wizz Air nga aeroporti Luton i Londrës drejt Sofjes u ridrejtua në Budapest, ku u detyrua të kryente një ulje emergjente pas një kërcënimi për bombë. /Telegrafi/




