Qyteti zviceran i Bazelit do të mbajë titullin “Kryeqyteti Evropian i Krishtlindjeve 2027”, ndërsa tregu tradicional i Krishtlindjeve është vlerësuar edhe me çmime ndërkombëtare për cilësinë dhe ofertën e tij festive.

Lajmi është bërë i ditur nga autoritetet e kantonit Basel-Stadt, të cilat kanë njoftuar se aktivitetet e Krishtlindjeve këtë vit do të jenë më të mëdha dhe më të larmishme, me hapësira të reja festive dhe një program të zgjeruar kulturor.
Titulli “European Capital of Christmas 2027” i është ndarë Bazelit nga organizata jofitimprurëse Christmas Cities Network, nën patronazhin e Parlamentit Evropian. Ky vlerësim synon të promovojë traditat dhe projektet festive në qytetet evropiane.
Përveç këtij titulli, tregu i Krishtlindjeve në Bazel është shpërblyer me çmimin “Excellent European Christmas Market”, ndërsa renditja evropiane “Christmas Wanders” e ka zgjedhur si tregun më të mirë të Krishtlindjeve në Zvicër, trasmeton Telegrafi.
Tregu tradicional i Bazelit, i cili organizohet që nga viti 1978, është një nga atraksionet kryesore të qytetit gjatë sezonit dimëror dhe tërheq çdo vit një numër të madh vizitorësh nga Zvicra dhe jashtë saj.
Këtë vit, aktivitetet zhvillohen në disa lokacione të qytetit. Në sheshet Barfüsserplatz dhe Münsterplatz janë vendosur dhjetëra tezga me produkte artizanale, dhurata dhe ushqime tradicionale, ndërsa në Münsterplatz janë hapur rreth 50 stenda festive.
Një prej risive është edhe fshati i ri i Krishtlindjeve në Theaterplatz, me rreth 40 shtëpiza që ofrojnë ushqime, produkte të dizajnit lokal dhe aktivitete kulturore për familjet. Ndërkohë, zona festive “Adväntsgass” është zgjeruar deri në Lindenberg.
Programi përfshin gjithashtu koncerte, shfaqje muzikore, aktivitete për fëmijë, ekspozita muzeale, instalacione ndriçimi dhe hapësira të dekoruara në qendrën historike të qytetit.
Tregu i Krishtlindjeve në Bazel është hapur më 26 nëntor dhe do të qëndrojë i hapur deri më 23 dhjetor 2026, ndërsa qyteti tashmë po përgatitet që vitin e ardhshëm të presë vizitorë edhe nën titullin e Kryeqytetit Evropian të Krishtlindjeve./Telegrafi/





