Komandanti i Policisë, Fatmir Balaj, ia ka prezantuar kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, vendimin e Prokurorit të Shtetit për ndalimin e punimeve për vendosjen e muralit të Nënë Terezës në objektin ku ndodhet Ministria e Ekonomisë, deri në marrjen e një vendimi nga gjykata.

Gjatë bisedës me Ramën, Balaj ka bërë të ditur se Policia e ka pranuar zyrtarisht vendimin e Prokurorisë, sipas të cilit punimet duhet të ndërpriten për shkak të kontestit mes Ministrisë së Digjitalizimit dhe Administratës Publike dhe Komunës së Prishtinës.
“E pranuam zyrtarisht vendimin prej Prokurorit të Shtetit që, deri në një vendim të gjykatës, të mos lejohen zhvillimet e punimeve për shkak të problematikave mes dy palëve, mes Ministrisë së Digjitalizimit dhe Administratës Publike dhe Komunës. Nuk më lejohet ta nxjerr këtë dokument jashtë pa autorizim. Mediat le t’i drejtohen Prokurorisë”, dëgjohet duke i thënë Balaj Ramës.
Megjithatë, kryetari i Prishtinës e ka kundërshtuar arsyetimin se bëhet fjalë për një kontest mes dy palëve. Rama ka pretenduar se objekti ku është planifikuar të vendoset murali është në kompetencë të kryeqytetit dhe jo në pronësi të ministrisë.
“Cilat dy palë? Ministria nuk është palë këtu. Prokurori paska marrë një vendim… një vendim që është marrë prej asamblistëve, me të gjitha lejet, me të gjitha të drejtat si qeverisje lokale, është bllokuar tash sepse ka kontest mes dy palëve. Pse ministria është palë? Ky objekt s’është pronë e ministrisë, nuk është asgjë në kompetencë të tyre, këto objekte janë kompetencë të kryeqytetit”, ka thënë Rama.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





