Bashkëpilotja 20-vjeçare në mesin e nëntë viktimave të rrëzimit të aeroplanit në Florida

Bashkëpilotja 20-vjeçare në mesin e nëntë viktimave të rrëzimit të aeroplanit në Florida

Bashkëpilotja 20-vjeçare në mesin e nëntë viktimave të rrëzimit të aeroplanit në Florida

Një bashkëpilote 20-vjeçare ishte në mesin e nëntë personave që humbën jetën të dielën, pasi një avion i vogël privat u rrëzua dhe shpërtheu në Florida, raportojnë mediat amerikane.

Sponsor 3M Express

Sipas raportimeve, bëhet fjalë për Nathalia Filgueiras, e cila kishte marrë licencën e pilotit në moshën 17-vjeçare. Ajo ishte njëra nga dy anëtaret e ekuipazhit të avionit Learjet 60, i cili ishte nisur nga Austin, në Teksas, drejt Bahamasit, por u rrëzua pranë West Palm Beach.

Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit në SHBA (NTSB) ka nisur hetimet për të përcaktuar nëse akulli dhe turbulencat kanë ndikuar në aksident, si dhe nëse mund të ketë pasur gabim njerëzor.

Avioni u përplas në një rrugë pranë zonës Cresthaven, rreth 14 kilometra larg rezidencës Mar-a-Lago të presidentit Donald Trump. Një person që ndodhej në tokë pësoi lëndime në këmbë.

Pamjet nga vendngjarja tregojnë një krater të madh të shkaktuar nga zjarri në mes të një rruge në një lagje banimi. Zyrtarët thanë se mbeturinat e avionit ishin shpërndarë në fusha sportive, biznese dhe shtëpi përreth, çka mund të tregojë se avioni ishte shpërbërë para se të godiste tokën.

NTSB konfirmoi se, pas ngritjes nga Austin, ekuipazhi kishte njoftuar kontrollin e trafikut ajror se po përballej me akull dhe turbulenca të moderuara.

“Po hasim reshje, kërkojmë leje të ngjitemi në lartësinë 37 mijë këmbë, nëse është e mundur”, kishte njoftuar ekuipazhi, transmeton Telegrafi.

Sipas anëtarit të NTSB-së, Tom Chapman, më pak se 30 sekonda më vonë avioni filloi të humbiste lartësi dhe pilotët lëshuan sinjalin e emergjencës “Mayday”. Komunikimi më pas u bë i pakuptueshëm.

Regjistrimet e komunikimit me kontrollin ajror tregojnë se një anëtar i ekuipazhit kishte deklaruar gjendjen e emergjencës, duke bërtitur se avioni po zbriste me shpejtësi prej 20 mijë këmbësh në minutë. Në një moment, ai dëgjohet të thotë se avioni do të përplasej në tokë.

Rreth 35 sekonda pas sinjalit të parë të emergjencës, nga kabina u dëgjua edhe mesazhi i fundit: “Nuk kemi më kohë”.

Nëna e 20-vjeçares, Camila Corteleti, konfirmoi për mediat amerikane se vajza e saj kishte humbur jetën në shpërthimin e avionit.

“Ajo e donte lirinë. Ishte krejt ndryshe ta shihje botën nga lart”, tha ajo për gazetën New York Times.

Në një intervistë të vitit 2023 për një televizion lokal të rrjetit CBS News, Filgueiras kishte folur me krenari për faktin se kishte marrë licencën e pilotit kur ende ishte në vitin e fundit të shkollës së mesme.

“Më pëlqen të jem ndryshe nga të gjithë të tjerët”, kishte thënë ajo, duke treguar se disa njerëz habiteshin kur mësonin se ajo mund të pilotonte avionë, por nuk dinte të ngiste veturën.

Deri më tani, identitetet e tetë personave të tjerë që ndodheshin në avion nuk janë bërë publike.

Hetuesit po përpiqen gjithashtu të përcaktojnë nëse avioni kishte regjistrues të zërit të kabinës dhe nëse ai mund të nxirret nga rrënojat. NTSB ka paralajmëruar se përcaktimi i shkakut të mundshëm të aksidentit do të kërkojë një proces të gjatë hetimor.

Në hetime po bashkëpunojnë edhe Administrata Federale e Aviacionit (FAA), përfaqësues të kompanisë Learjet, meteorologë dhe ekspertë të kontrollit të trafikut ajror.

Timothy Monville, hetues i sigurisë ajrore në NTSB, e cilësoi nxjerrjen e rrënojave nga krateri në rrugë si një sfidë të madhe. Ai konfirmoi gjithashtu se një person që ndodhej në një automjet pranë vendit të përplasjes kishte pësuar lëndime në këmbë.

Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, e përshkroi aksidentin si një ngjarje tronditëse, duke iu referuar pamjeve të publikuara në rrjetet sociale, të cilat ende nuk janë verifikuar zyrtarisht.

“Kur e sheh atë video, është një pamje tronditëse. Duket si një raketë që bie nga qielli, e pasuar nga një shpërthim i madh dhe mbeturina që shpërndahen gjithandej”, tha DeSantis.

Sekretari amerikan i Transportit, Sean Duffy, e cilësoi ngjarjen si një tragjedi të tmerrshme.

Zyra e Sherifit të Qarkut Palm Beach bëri të ditur se avioni u rrëzua në rrugën Military Trail, një arterie me gjashtë korsi, përgjatë së cilës ndodhen biznese dhe restorante. Në kohën e aksidentit, në zonë ishin raportuar edhe stuhi me vetëtima.

Presidenti Trump ndodhej në rezidencën Mar-a-Lago të dielën në mëngjes, por ishte larguar me avionin presidencial Air Force One nga një aeroport aty pranë rreth një orë para rrëzimit. /Telegrafi/

Lexo edhe

Nga përgjimet te pasuritë: Prokuroria përmend 34 vetura, para dhe prona nën masa ndaluese

Nga përgjimet te pasuritë: Prokuroria përmend 34 vetura, para dhe prona nën masa ndaluese

Moti në Kosovë, nesër vranët dhe shi

Moti në Kosovë, nesër vranët dhe shi

Arlinda: Askush nuk mund të ma marrë inteligjencën, kam mbi 15 vjet karrierë (VIDEO)

Arlinda: Askush nuk mund të ma marrë inteligjencën, kam mbi 15 vjet karrierë (VIDEO)