Barcelona po përballet me probleme të shumta me lëndimet në prag të përballjes së madhe ndaj Real Madridit, e cila zhvillohet të dielën nga ora 21:00, në kuadër të xhiros së 10-të të La Ligës.

Katalunasit e presin rivalin e përjetshëm në krye të tabelës, me gjashtë pikë epërsi ndaj madrilenëve, por gjendja fizike e disa futbollistëve po ia vështirëson përgatitjet trajnerit Hansi Flick.
Shqetësimet u shtuan pas humbjes 4-2 ndaj Paris Saint-Germainit në Ligën e Kampionëve, e cila i dha fund serisë prej 11 fitoreve radhazi të Barcelonës në të gjitha garat.
Mesfushori Dani Olmo u detyrua të largohej nga fusha në pushimin mes pjesëve dhe pritet të mungojë për rreth një muaj.
Dyshime ka edhe për mbrojtësin 19-vjeçar Xavi Espart, i cili u zëvendësua gjatë ndeshjes në Paris për shkak të një problemi në kyçin e këmbës. Gjendja e tij po vlerësohet dhe ende nuk dihet nëse do të jetë i gatshëm për El Clasicon.
Espart ka treguar paraqitje të mira këtë sezon, duke shënuar dy gola dhe regjistruar dy asistime, çka e ka bërë një lojtar gjithnjë e më të rëndësishëm për skuadrën katalunase.
Mungesa e tij e mundshme do të ishte një tjetër goditje për mbrojtjen e Barcelonës, e cila tashmë po përballet me mungesat e Jules Kounde dhe Eric Garcias.
Përballë këtyre vështirësive, Flick mund të detyrohet të bëjë ndryshime në repartin defensiv për duelin që mund të ndikojë ndjeshëm në garën për titull.
Barcelona synon ta shfrytëzojë epërsinë prej gjashtë pikësh dhe ta mbrojë kreun e tabelës, ndërsa Real Madridi do të kërkojë fitoren për ta ngushtuar diferencën ndaj rivalit të përjetshëm.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




