Barbari komuniste: Tortura dhe vrasja çnjerëzore e Teme Sejkos

Barbari komuniste: Tortura dhe vrasja çnjerëzore e Teme Sejkos

Barbari komuniste: Tortura dhe vrasja çnjerëzore e Teme Sejkos

Në vitin 1983, në gjyqin kundër Kadri Hazbiut (1922-1983) – ministër i Brendshëm i Shqipërisë në vitet 1954-1980 dhe ministër i Mbrojtjes në vitet 1980-1982, i cili u akuzua për veprimtari armiqësore – dëshmuan tre anëtarë të Sigurimit për vrasjen në mënyrë çnjerëzore të pjesëmarrësit të Luftës Nacional-Çlirimtare, admiralit dhe komandantit të Flotës Shqiptare, Teme Sejko (1922-1961). Gjatë vizitës së liderit sovjetik Nikita Khrushchev, në bazën e Pashalimanit në vitin 1959, Khrushchevi e kishte vlerësuar publikisht inteligjencën dhe aftësitë e Teme Sejkos. Kjo zgjoi paranojën e Enver Hoxhës, i cili e shihte çdo zyrtar të aftë dhe të respektuar nga të huajt si një kërcënim të drejtpërdrejtë për karrigen e tij. Meqë Teme Sejko kishte studiuar në Moske, kjo i jepte justifikime Hoxhës për ta cilësuar Sejkon si element me rrezikshmëri të lartë i cili mund të mbante anën e Moskës në kohën kur Shqipëria po shkëpuste raportet me BRSS-në dhe po i afrohej Kinës. Sejko ishte po ashtu figura më e lartë ushtarake me origjinë çame në Shqipëri, ndërsa regjimi i Hoxhës kishte dyshime të vazhdueshme ndaj elitës çame duke pasur frikë nga ndikimi i tyre apo lidhjet e mundshme jashtë vendit.

Sponsor 3M Express

Paralajmërim: Ky tekst përmban përshkrime të dhunës që mund të jenë shqetësuese për disa lexues, prandaj nuk rekomandohet për personat e ndjeshëm ose të miturit.

Dëshmia e Qemal Birçes

Kur u arrestua Teme Sejko, mua më sollën me shërbim në burg, përgjegjës për grupin e oficerëve që siguronin të pandehurit në dhomat e izolimit. Në këtë detyrë kam qëndruar deri në fund, pra, deri në kohën kur u dënua Teme Sejkua dhe grupi i tij. Pas gjykimit të çështjes e dënimit të tyre, shkova përsëri në Ministri, në vendin ku kisha qenë më parë shef i Komandaturës.

Si qëndrova 5-6 ditë në Ministri, një ditë, rreth orës 18:00 pasdite më thirri në zyrë Mihallaq Ziçishti. Kur shkova atje, vura re që ishte edhe Kadri Hazbiu dhe persona të tjerë, si Rexhep Kolli e Nevzat Haznedari. Mihallaqi më dha urdhër që të heqësh rojet e policisë që janë te Burgu i Vjetër, sepse atje do të dërgojmë Teme Sejkon dhe Tahir Demin, që të mos na i shikojë njeri, kur të shkojnë atje. Në këtë kohë, Temja dhe Tahiri ishin dënuar me vdekje, por dënimi s’kishte marrë formë të prerë. Unë shkova dhe e zbatova porosinë. Pas pak më mori Mihallaq Ziçishti në telefon dhe më pyeti a je gati. Unë i thashë po, jam gati. Pak më vonë, Mihallaqi erdhi me një “Gaz” 7-vendësh. Në gaz Mihallaqi kishte marrë Teme Sejkon e Tahir Demin. E shoqëronte edhe Nevzat Haznedari. I morëm Temen e Tahirin dhe i futëm në dy dhoma të veçanta në katin e dytë të burgut të vjetër, të përgatitur që më parë me krevat me susta, batanije, dyshek e çarçafë. Aty Teme Sejko e Tahir Demi janë mbajtur rreth një muaj. Nevzat Haznedari vazhdimisht u binte si Temes dhe Tahirit letër për të shkruar dhe u merrte ato që ata shkruanin. Se ku i çonte këto letra Nevzati, nuk e di. Bashkë me mua bënin shërbim edhe tre oficerë të tjerë, Qemal Xhaferri, Luto Beqiri dhe Islam Gjondeda. Të katërt ne rrinim në dy dhoma në katin e parë dhe bënim roje me radhë. Tahiri me Temen aty hanin ushqim, për nevoja personale i binin derës që ne ua mbyllnim nga jashtë me çelës, u jepnim brisk e makinë dhe rruheshin vetë.

Më kujtohet se rreth 10 ditë pasi kishim shkuar te burgu i vjetër, më mori në telefon Kadri Hazbiu rreth orës 1:00 pas mesit të natës dhe më tha: “Jam Kadri Hazbiu, dil e më prit se do të vij aty”. Dola aty te oborri i burgut dhe pa kaluar as pesë minuta, Kadri Hazbiu erdhi vetëm. Pasi më takoi, më pyeti se ku rri Teme Sejko. Unë i thashë në një dhomë në katin e dytë. Më shoqëro deri te dhoma, tha Kadriu. Të dy u ngjitëm në katin e dytë. I hapa derën e dhomës ku rrinte Teme Sejkoja. Temja u ngrit nga krevati dhe qëndroi në këmbë. Kadriu më vështroi, për të më lënë të kuptoja që të largohesha. Dola jashtë duke tërhequr pas vetes derën dhe qëndrova në mes të shkallëve. Kadriu qëndroi brenda me Temen rreth një orë dhe pastaj doli. Unë u ngjita dhe mbylla derën e dhomës së Temes me çelës. Kadriu zbriti e doli jashtë në oborr e pas tij dola edhe unë. Atje më hodhi dorën në sup e më tha: “Ki kujdes se partia thotë që këta armiq janë në duar të sigurta”. Unë i thashë, mos ki merak shoku ministër. Se çfarë bisedoi me Temen, nuk di asgjë.

Pas këtyre fjalëve që shkëmbyem bashkë, Kadriu u largua. Pasi i mbajtëm te Burgu i Vjetër një muaj, një natë pas mesit të natës, vjen aty Mihallaq Ziçishti së bashku me Nevzat Haznedarin, i cili në atë kohë ishte kryetar i Degës së Hetuesisë. U hapa derën, u futëm të tre bashkë brenda në dhomën ku mbanim Teme Sejkon dhe Mihallaqi me Nevzatin i hodhi Temes hekurat në këmbë e duar. Aty qëndruam deri në mëngjes. Në mëngjes herët i zgjidhëm këmbët Temes, e mbështollëm me një batanije dhe e hipëm në një “Gaz” 7-vendësh. Tahir Demin e lamë aty në vend. Me shërbim si roje mbeti Luto Beqiri. Pas kësaj, në “Gazin” 7-vendësh hipa unë, Nevzati, Islam Gjondeda dhe Qemal Xhaferri. Shofer ishte një kushëri i Mihallaq Ziçishtit, oficer, emrin nuk ia kujtoj, di që ka vdekur. Mihallaq Ziçishti ishte me makinën e tij dhe u nis para nesh. U nisëm edhe ne në drejtim të Vorës. Makinën tonë e drejtonte Nevzati, i cili duhet të kishte biseduar me Mihallaqin se e dinte ku po shkonim, por neve nuk na tha asgjë. Rrugës, Mihallaqin nuk e pamë.

Kur shkuam në Maminas, qëndruam në mes të vreshtit ku është një shtëpi e vetme që quhet Pallati i Beut. Aty e zbritëm Temen. Erdhi edhe Mihallaqi me makinën e tij. Me të ishte edhe Rexhep Kolli. E futëm Temen në një dhomë. Pas kësaj, Mihallaqi dërgoi Qemal Xhaferrin për të prerë 20 shkopinj shkoze. Pasi i pruri shkopinjtë, vetë Mihallaqi në prezencë të Rexhepit e Nevzatit, filloi ta rrihte Temen me shkop. E godiste Temen me shkop, që ishte sa tre gishta i trashë, në gjithë pjesët e trupit, përfshi edhe kokën, me gjithë forcën sa thyheshin shkopinjtë. Si lodhej Mihallaqi, vazhdonte Rexhepi e pastaj Nevzati. Kjo vazhdoi gjithë ditën deri në mbrëmje sa hyri dielli.

Temja nga të rrahurit gati kishte mbaruar, sa merrte frymë. Nga gjithë pjesët e trupit që i ishin nxirë e çarë, në fytyrë, kokë, brinjë, kofshë, këmbë, i dilte gjak. Pra, ishte në një gjendje të tillë që ai nuk mund të shpëtonte. Kur ai nuk ndiente më asgjë, erdhi Kadri Hazbiu. Unë gjatë gjithë ditës tërë ngjarjen e pashë me sytë e mi, sepse isha në korridor dhe dera e dhomës ku rrihnin Temen ishte e hapur dhe unë vetëm atë shikoja. Dy shokët e tjerë ishin caktuar larg si roje që mos të na afrohej njeri. Kur erdhi Kadriu, më dha dorën, më pyeti ç’kemi. Unë i thashë se Temja po vdes nga të rrahurit. Kadriu shkoi dhe u fut në dhomë, ku u takua me Mihallaq Ziçishtin, Rexhep Kollin dhe Nevzat Haznedarin. Ishte vetëm kur erdhi aty, ndërsa shoferi me shoqëruesin qëndruan te makina rreth 15-20 metra larg shtëpisë. Dua të shtoj se në atë shtëpi në atë kohë nuk banonte asnjeri. Kadriu qëndroi rreth pesë minuta dhe u largua. Si u largua Kadriu, e mbështollëm Temen me batanije e duar të lidhura nga mbrapa, me hekura, siç i kishte kur e rrihnin, e hipëm në “Gazin” 7-vendësh e bashkë me të, edhe unë, Nevzati, Islami e Qemali dhe u nisëm në drejtim të Tiranës. Unë nuk e dija ku do të shkonim, detyrën e kishte marrë Nevzati …

Pa kaluar Vorën, unë dhe Islam Gjondeda që ishim me makinën mbrapa, i hodhëm në fyt Teme Sejkos që ishte i shtrirë në mes nesh, një litar në formë laku dhe, duke e tërhequr secili në krahun e vet, e mbytëm. Pra, Temja nuk kishte asnjë shenjë jete. Për mbytjen e Temes me litar ne na urdhëroi Nevzat Haznedari. Vazhduam rrugën dhe shkuam deri te kodrat karshi Linzës. Ishte natë. Ne qëndruam në një vend ku kishte qëndruar edhe Mihallaqi me makinën e tij, i cili kishte shkuar atje para nesh. Rexhep Kolli nuk ishte me të, se ku qe kthyer nuk e di. Na urdhëroi, nxorëm kufomën ashtu të mbështjellë me batanije. E mbanim Qemal Xhaferri, Islam Gjondede dhe shoferi që ishte kushërirë i Mihallaqit. Unë qëndrova lart me Mihallaq Ziçishtin, ndërsa shokët e tjerë e çuan kufomën rreth 20 metra poshtë xhades, kur që gjatë natës ishte bërë gropa gati. Gropën e bëri shoferi që na çoi ne në Maminas, i cili posa na çoi, u largua dhe u kthye në mbrëmje që na mori, këtë detyrë ai e kishte marrë nga Mihallaq Ziçishti. Si e zbritën kufomën te gropa, shkova edhe unë. Për t’u siguruar për vdekjen e Temes, unë me një kazmë që gjeta aty pranë, i rashë Teme Sejkos në kokë disa herë derisa iu prish fare koka. Më kazmë e qëlluan edhe shokët e tjerë. Pasi e hodhëm në gropë, e mbuluam me baltë dhe e larguam.

Dëshmia e Qemal Xhaferrit

Na thanë që po bënim roje, me ta nuk do të bisedoni, nuk do të lini njeri të futet brenda. Përgjegjës ishin Qemal Birçe dhe Islam Gjondeda. Nuk e mbaj mend sa qëndruam atje. Në këtë kohë që i mbanim atje, Temja me Tahirin ishin dënuar me vdekje dhe prisnin vendimin përfundimtar.

Temen me Tahirin i mbanin në dy dhoma, ballë për ballë në kat të dytë, ndërsa ne që bënim shërbim, rrinim në dy dhoma në kat të parë. Lart në korridor, midis dy dhomave ku rrinin të arrestuarit, qëndronte roje vetëm një nga ne të katërt që bënim shërbimin sipas radhës … Më kujtohet se gjatë kohës që dy të arrestuarit kanë qëndruar atje, kam parë që kanë ardhur bashkërisht disa herë ditën Kadri Hazbiu me Rexhep Kollin, Mihallaq Ziçishtin e Nevzat Haznedarin, ku qëndronin gjysmë ore a një orë dhe iknin. Se çfarë bënin, nuk e di se nuk futeshim brenda, por me sa mbaj mend, të dy të arrestuarit i kisha parë që shkruanin. Kadri Hazbiu ose të tjerë nuk i kam parë të vinin vetëm, nga të sipërmit mundet të ketë ardhur ndonjëri natën, por unë mund të kem qenë në gjumë, po edhe shokët nuk më kanë thënë gjë.

Një natë, unë e kisha shërbimin e rojës nga ora 2-4 të mëngjesit. Kur u ngrita, më tha shoku tjetër, Luto Beqiri, që e kanë marrë Teme Sejkon dhe se ku e kanë çuar. Kush e mori, i thashë unë. Lutua më tha, ishte Mihallaq Ziçishti, Rexhep Kolli, Nevzat Haznedari, Qemal Birçja, Islam Gjondede dhe Jorgo Bimo. Pas një ore, erdhi te ne Jorgo Bimo me makinë dhe më tha hajde, se do të vemi në një vend. Më çoi afër Maminasit, në mes të vreshtit ku ishte një shtëpi e vetmuar që në të nuk banonte njeri. Kur shkova atje, gjeta Mihallaqin, Rexhepin, Nevzatin, Qemal Birçen, Islam Gjondedën, kishin edhe Teme Sejkon që ishte me duar të lidhura. Unë i gjeta duke e rrahur Temen me shkopinj. I kishte plasur gjaku në gjithë trupin. Sa ndenja unë, u thyen 5-6 shkopinj. Të gjithë e rrihnin me radhë. Unë aty ndenja pak minuta se pastaj më thanë e dola roje në një kodër të vogël mbi shtëpi, ndërsa Islam Gjondede poshtë shtëpisë se mos afrohej njeri.

Qëndruam deri në darkë, rreth orës 20:00, kur erdhi Kadri Hazbiu, i cili u fut brenda, qëndroi pak minuta, se ç’bisedoi dhe u largua. Si iku Kadriu, që nga vendi ku bëja roje, pashë që Temen e nxorën jashtë për duarsh e për këmbësh dhe e hodhën në makinë. Aty shkuam edhe unë e Islami. Kur vajta aty, dëgjova shokët që thanë që do ta mbysim, që mos të qëllojmë me armë, se dëgjohen të shtënat. Se kush e tha këtë, nuk e mbaj mend. Që pa u nisur makina, mbaj mend se Temes i hodhëm në fyt një litar kërpi të trashë sa gishti dhe të dy anët e litarit i tërhoqëm me radhë në të dy krahët, derisa e mbytëm Temen, pra s’kishte më asnjë shenjë jete.

Mihallaq Ziçishti e Rexhep Kolli kanë qenë prezent gjatë gjithë kësaj kohe. Ne të shërbimit e bashkë me ne edhe Nevzat Haznedari u nisëm në drejtim të Tiranës e pastaj shkuam në Linzë, në disa kodra. Para nesh, me sa më kujtohet, ishte makina e Mihallaq Ziçishtit dhe kur ndaloi ai, ndaluam edhe ne. Aty nuk e pashë më Rexhep Kollin, se ku kishte qëndruar nuk e di, mundet në Tiranë. Kur shkuam në Linzë, ishte errësirë dhe vend me shkurre. Temen e kapëm dy veta dhe zvarrë e zbritëm rreth 20 metra poshtë rrugës, vendi ishte shumë i pjerrët. E çuam ku ishte një gropë e hapur, se kush e kishte bërë, nuk e di. E hodhëm në gropë. Në gropë, me sa më kujtohet, dikush i ra me kazmë në kokë disa herë dhe tha: “Sa të fortë e paska kokën”. Para se ta hidhnim në gropë, Jorgo Bimo i hoqi pantallonat dhe një bluzë kadife dhe i mori me vete. Pas kësaj, e mbuluam me baltë, shkuam te makinat dhe erdhëm në Tiranë.

Dëshmia e Islam Gjondedës

Lidhur me sa pyetëm, kam për të dhënë këto gjëra: Vitin e saktë nuk e mbaj mend, por duhet të ketë qenë viti 1960. Isha në Drejtorinë e Policisë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në sektorin e zbatimit të vendimeve penale. Një ditë më thirri në zyrën e tij armiku Mihallaq Ziçishti që në atë kohë ishte zëvendësministër i Punëve të Brendshme. Aty gjeta edhe shokë të tjerë që nuk i mbaj mend. Mihallaqi na tha se do t’u ngarkoj me një detyrë të rëndësishme. Në mbrëmje vonë, me makinën që e drejtonte Jorgo, kushëriri i Mihallaqit, na çuan te Burgu i Vjetër. Veç Nevzat Haznedarit, kishte edhe tre-katër vetë të tjerë që nuk i mbaj mend.

Kur shkuam te Burgu i Vjetër, erdhi edhe Mihallaq Ziçishti, i cili na tha që do të ruani Teme Sejkon dhe Tahir Demin. Temen e Tahirin, siç mora vesh aty, pasi i dënuan me vdekje, i prunë aty. Sepse, nuk e di. Unë për vete e dija deri atë ditë se ata qenë pushkatuar. Temen dhe Tahirin i kishin vendosur në dy dhoma përballë njëra-tjetrës në katin e dytë, që ndaheshin me një korridor në mes. Edhe ushqimin atje e hanin. Aty kemi qëndruar rreth një muaj. Aty bënim roje katër veta, që s’i mbaj mend cilët ishin. Roje bënim dy e nga dy. Gjatë kohës që qëndruam aty, mbaj mend që kanë ardhur Mihallaq Ziçishti, Rexhep Kolli, Nevzat Haznedari që futeshin në dhomat e këtyre, se ç’bënin nuk e di se e mbyllnin derën. Tjetër njeri nuk më kujtohet të ketë ardhur.

Një mbrëmje erdhi Mihallaq Ziçishti me Nevzatin dhe shofer Jorgon. Sonte, tha Mihallaqi, do ta heqim Teme Sejkon. Dhe, me sa kujtoj unë, që atë natë e hoqën Temen, e çuam me makinën e Jorgos në një shtëpi në Maminas, midis vreshtit. Atje nuk banonte njeri. Mua më kujtohet se atje kemi qëndruar rreth dy ditë. Aty, veç ne të shërbimit, erdhi edhe Mihallaqi me Jorgon. Tjetër njeri unë nuk mbaj mend të ketë ardhur. Mua më caktuan dhe qëndrova roje aty tek dera e shtëpisë. Unë Teme Sejkon e kam njohur shumë mirë, sepse atë e kam pasur komisar batalioni për një vit, më 1944, në Batalionin e Disiplinës në Gurrë të Tiranës. E kam parë edhe më pas kur ka qenë në Vlorë. Edhe te Burgu i Vjetër që e morëm në makinë dhe e çuam në Maminas, unë kam qenë prezent dhe Temen e kam ruajtur e shoqëruar. Kam qenë prezent edhe kur e kanë nxjerrë Teme Sejkon jashtë nga shtëpia në oborr, i vumë një litar me lak në fyt dhe katër veta, dy në një krah e dy në një krah e shtrënguam sa Temja vdiq.

Mihallaqi tha e lëvizni njëherë. Ne e kthyem në Linzë (Linzë) në disa kodra. Qëndruam atje ku kishte qëndruar Mihallaq Ziçishti. Prezent ishte edhe Nevzat Haznedari. E morëm kufomën unë me shokë dhe e çuam te gropa që ishte bërë përpara, se nga kush, nuk e di, dhe ishte rreth 100-200 metra larg xhadesë në një vend të pjerrët me shkurre. E hodhëm në gropë dhe e mbuluam me baltë. Nuk mbaj mend të jetë bërë ndonjë veprim tjetër aty me kufomën. Kujtoj gjithashtu që gjithë këto veprime janë bërë në errësirë, po a ishte herët në mëngjes pa u gdhirë mirë, a ishte mbrëmje, nuk e mbaj mend. Unë nuk kam dijeni nëse Temen e kanë rrahur gjatë kohës që e mbajtën në Maminas dhe nuk mbaj mend nëse e kishin dëmtuar në fytyrë me gjak. Më kujtohet vetëm një gjë, që kur i hodhëm litarin në fyt, ia bëri vetëm njëherë “ah”, sytë i zgurdulloi dhe nuk foli më. /Telegrafi/

Lexo edhe

Avokatja e Arlindës: Kishte vetëm një kërkesë, bashkimin me djalin – qëndroi në shtëpi pavarësisht rrezikut

Avokatja e Arlindës: Kishte vetëm një kërkesë, bashkimin me djalin – qëndroi në shtëpi pavarësisht rrezikut

“Shteti e vrau Arlindën” – aksion simbolik i QIKA-s, ngjyrë e kuqe dhe pankartë në hyrje të qeverise

“Shteti e vrau Arlindën” – aksion simbolik i QIKA-s, ngjyrë e kuqe dhe pankartë në hyrje të qeverise

Si humbet nxehtësia nga shtëpia gjatë dimrit dhe si mund të kursehet energjia?

Si humbet nxehtësia nga shtëpia gjatë dimrit dhe si mund të kursehet energjia?

Barbari komuniste: Tortura dhe vrasja çnjerëzore e Teme Sejkos | Momenti