Banorët e lagjes afër Parkut Manchester në Podujevë po kërkojnë llogari nga institucionet për mosrealizimin e nënkalimit, i cili, sipas tyre, ishte planifikuar të lidhte lagjen me pjesën tjetër të qytetit.

Të pakënaqur me zvarritjen e projektit, banorët dolën në protestë, duke kërkuar përgjigje për një çështje që, siç thonë, i ka lënë të izoluar për vite me radhë. Ata pretendojnë se në buxhetin e vitit 2024 ishte paraparë një shumë prej 840 mijë eurosh për këtë projekt, por deri më tani nuk kanë marrë sqarime se çfarë ka ndodhur me këto mjete.
Sipas banorëve, nënkalimi do të lehtësonte qarkullimin dhe do të mundësonte lidhjen e drejtpërdrejtë të më shumë se 1 mijë banorëve me qytetin. Ata e konsiderojnë diskriminim trajtimin që, sipas tyre, po ua bën Komuna e Podujevës, ndërsa kundërshtojnë edhe asfaltimin e rrugës pa u realizuar fillimisht nënkalimi.
Pas protestës, banorët iu drejtuan Komunës së Podujevës, ku fillimisht nuk arritën të takonin drejtorin e Planifikimit Urban dhe Mbrojtjes së Mjedisit, Ahmet Ahmetin. Takimi u realizua disa ditë më vonë, por as përgjigjet e dhëna nga drejtori nuk i bindën ata.
Gjatë takimit, Ahmeti deklaroi se nënkalimi nuk ishte proceduar dhe buxhetuar nga ministria përkatëse, ndërsa theksoi se për momentin po punohet në asfaltimin e rrugës. Ai la të hapur mundësinë që projekti i nënkalimit të realizohet në të ardhmen, pas gjetjes së një zgjidhjeje dhe komunikimit me ministrinë.
Ndërkaq, një zyrtar i drejtorisë së urbanizmit sqaroi se, ndonëse ishte lidhur memorandum për projektin, në paramasë ishte përfshirë vetëm ndërtimi i rrugës, me vlerë rreth 400 mijë euro, dhe jo nënkalimi. Sipas tij, shuma prej 840 mijë eurosh ishte përmendur, por mjetet për nënkalimin nuk ishin lëshuar.
Kjo përgjigje ngriti edhe më shumë pikëpyetje te banorët, të cilët kërkuan sqarime se ku përfunduan mjetet e parapara dhe pse projekti nuk u realizua asnjëherë.
Për këtë çështje, Kiks Kosova ka kërkuar zyrtarisht informacione dhe qasje në dokumente publike nga Komuna e Podujevës dhe Ministria e Infrastrukturës, lidhur me ndarjen e buxhetit, shpenzimin e mjeteve dhe arsyet e mosrealizimit të projektit.
Megjithatë, deri në transmetimin e kronikës, as Komuna e Podujevës dhe as Ministria e Infrastrukturës nuk dhane përgjigje.
Ndërkohë, banorët paralajmërojnë se nuk do të ndalen me kaq dhe se, në mungesë të një përgjigjeje konkrete, do t’u drejtohen edhe Qeverisë, Prokurorisë dhe Auditorit.
Detajet mund t’i gjeni në materialin e përgatitur nga Kiks Kosova:





