Banorët e lagjes Ulpiana në Prishtinë kanë kërkuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) shqyrtimin e ligjshmërisë së vendimit të Kuvendit Komunal të Prishtinës, të datës 6 nëntor 2026, për caktimin e lokacionit të projektit “Ulpiana 2030 Legacy”.

Kërkesa, e dorëzuar më 23 nëntor 2026, i është drejtuar MAPL-së, ndërsa për dijeni u është përcjellë edhe kryetarit të Kuvendit Komunal të Prishtinës dhe Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Përmes kësaj kërkese, Këshilli Iniciues i Banorëve të lagjes Ulpiana kërkon që vendimi i Kuvendit Komunal të shqyrtohet në tërësi dhe të ndërmerren masa për anulimin e tij, nëse konstatohet se është marrë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
Në arsyetimin e tyre, banorët pretendojnë se vendimi është marrë pa transparencën e nevojshme, pa përfshirjen e banorëve që preken drejtpërdrejt nga ndërhyrjet e planifikuara dhe pa u bërë publike dokumentacioni i nevojshëm që arsyeton përzgjedhjen e lokacionit.
Sipas kërkesës, projekti “Ulpiana 2030 Legacy” parasheh ndërhyrje ndërtimore në hapësirën pranë konvikteve të studentëve, si dhe ndërtimin e një parkingu publik nëntokësor në hapësirën e Fontanës së lagjes Ulpiana.
Banorët vlerësojnë se këto ndërhyrje mund të kenë pasoja të konsiderueshme në sigurinë e tyre, stabilitetin e ndërtesave ekzistuese, qarkullimin e automjeteve dhe cilësinë e mjedisit jetësor.
Ata shprehin shqetësimin edhe për ruajtjen e vlerave historike, arkitektonike dhe urbanistike të lagjes, duke kërkuar që këto çështje të merren parasysh para vazhdimit të projektit.
Në dokumentin e dorëzuar, Këshilli Iniciues i Banorëve i referohet edhe nenit 52 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, i cili përcakton përgjegjësinë për mbrojtjen e natyrës, biodiversitetit, mjedisit jetësor dhe trashëgimisë kombëtare.
Për këtë arsye, banorët kërkojnë që institucionet përgjegjëse të shqyrtojnë ligjshmërinë e vendimit dhe të ndërmarrin masat përkatëse brenda kompetencave të tyre ligjore.
Kërkesa është protokolluar në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal më 23 nëntor, ndërsa në formularin e pranimit figuron se lënda është në proces. Si datë për afatin e zgjidhjes është shënuar 23 dhjetori 2026.
Banorët e Ulpianës, përmes kësaj iniciative, kundërshtojnë mënyrën e vendimmarrjes për projektin dhe kërkojnë që ndërhyrjet e planifikuara të mos vazhdojnë pa u shqyrtuar paraprakisht aspektet ligjore, mjedisore dhe urbanistike.







