Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar pas deklaratave të kryetarit të Partisë Mundësia, Agron Shehaj, lidhur me gjendjen shëndetësore të një protestuesi të lënduar gjatë protestës.

Shehaj deklaroi se një protestues ndodhej në gjendje kome dhe në rrezik për jetën, ndërsa një tjetër rrezikonte të humbiste shikimin. Ai kërkoi që SPAK të nisë hetimet për incidentet e raportuara gjatë protestave, përfshirë rastet e deputetëve Erald Kapri dhe Kliti Hoti.
Në reagimin e tij në rrjetet sociale, Balla i cilësoi deklaratat e Shehajt si të pavërteta, duke iu referuar sqarimit të një mjeku të Spitalit të Traumës.
“Një mashtrues profesionist sapo ka dalë dhe ka thënë se një protestues është në koma dhe në rrezik për jetën. Nuk ka asnjë të vërtetë! Ndiqni mjekun e Spitalit të Traumës”, shkruan Balla.
Ndërkohë, Shehaj kërkoi që SPAK të sekuestrojë pamjet filmike dhe komunikimet e policisë, si dhe të identifikojë efektivët e përfshirë dhe drejtuesit që kanë dhënë urdhrat për ndërhyrjet.
Ai iu referua edhe incidenteve me deputetët Erald Kapri dhe Kliti Hoti, duke kërkuar që përgjegjësit të dalin para drejtësisë.





