Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka kritikuar Qeverinë Kurti për realizimin e investimeve kapitale, duke pretenduar se pas gjashtë vitesh qeverisjeje nuk mund të dëshmojë përfundimin e ndonjë projekti të madh kapital.

Përmes një postimi në Facebook, ajo ka ngritur pikëpyetje për projektet e përfunduara nga ekzekutivi, duke theksuar se premtimet dhe projektet e buxhetuara nuk janë të njëjta me investimet e realizuara.
Bajrami ka përmendur disa projekte infrastrukturore që, sipas saj, vazhdojnë të mbeten të papërfunduara, përfshirë rrugët Prishtinë–Podujevë, Prishtinë–Gjilan, Prishtinë–Mitrovicë, Kijevë–Zahaq dhe Dollc–Gjakovë.
Bajrami i është referuar edhe Raportit Nëntëmujor Financiar të Ministrisë së Financave, sipas të cilit deri në fund të shtatorit 2026 janë realizuar 376.85 milionë euro nga 998.4 milionë euro të planifikuara për investime kapitale, apo rreth 37 për qind e buxhetit vjetor.
Sipas saj, nga shuma e regjistruar si shpenzim kapital, 82.11 milionë euro janë pagesa për vendime gjyqësore, duke argumentuar se jo e gjithë kjo shumë përfaqëson investime të realizuara në terren.
Deputetja e LDK-së ka kritikuar edhe planifikimin e investimeve për vitin 2027, duke përmendur disa projekte për të cilat, sipas saj, janë ndarë mjete të pamjaftueshme ose nuk është paraparë fare buxhet.
Ndër shembujt që ka përmendur janë 23 çerdhe me buxhet zero për vitin 2027, rruga Duhël–Banullë pa mjete të ndara për këtë vit, Unaza e Prishtinës me një milion euro nga vlera e projektit prej 61 milionë eurosh, si dhe Rruga e Dukagjinit, për të cilën janë paraparë po ashtu një milion euro.
Ajo ka përmendur edhe ndarjen e 1.5 milionë eurove për ndërtimin e digave, përkundër premtimit për pesë diga me vlerë mbi 400 milionë euro.
“Mëkat që kjo Qeveri nuk e ka kuptuar se investimet kapitale janë ndër instrumentet më të rëndësishme për zhvillimin ekonomik, veçanërisht për një ekonomi si e jona, e cila vazhdon të varet nga importi”.




