Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, i është kundërpërgjigjur ish-presidentes Vjosa Osmani-Sadriu, pas kritikave që kjo e fundit adresoi ndaj pushtetit të vitit 2020 lidhur me ndarjen e fondeve për bizneset gjatë pandemisë COVID-19.

Ndonëse nuk e përmendi drejtpërdrejt emrin e Osmanit, Bajrami, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se po u përgjigjet “turistëve politikë që kanë mbetur pa pushtet, pa dinjitet, e shpërndajnë mjegull”.
Ajo ka theksuar se gjatë debatit të zhvilluar në seancën e sotme të Kuvendit janë dëgjuar shumë të pavërteta dhe se disa çështje duhet të sqarohen.
Duke iu referuar vitit 2020, Bajrami ka rikujtuar se gjatë asaj periudhe Kosovën fillimisht e udhëhoqi qeveria e Albin Kurtit, nga 3 shkurti deri më 3 qershor, ndërsa më pas qeveria e Avdullah Hotit, nga 3 qershori i vitit 2020 deri në mars të vitit 2021.
Sipas saj, gjatë pandemisë, kur ekonomia ishte pothuajse tërësisht e mbyllur, Qeveria kishte financuar pagat e punëtorëve të sektorit privat për një muaj dhe jo t’u kishte ndarë para pronarëve të bizneseve.
“Në vitin 2020, kur ekonomia ishte komplet e mbyllur për shkak të pandemisë, Qeveria e Republikës së Kosovës ka financuar pagat e punëtorëve të sektorit privat për një muaj, nuk ju ka dhanë para ‘bosave të biznesit’”, ka shkruar Bajrami.
Ajo ka shtuar se për realizimin e kësaj pakoje kishin punuar rreth dhjetë shërbyes civilë, përfshirë drejtorin e Thesarit dhe drejtorin e Buxhetit.
Bajrami ka sqaruar se kriteri për përfitimin e mbështetjes ishte që punëtorët të figuronin në listat e pagave të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) për tre muajt paraprakë.
Deputetja e LDK-së e ka cilësuar këtë pako si një nga skemat më transparente të mbështetjes financiare të realizuara në historinë e Kosovës.
Në reagimin e saj, Bajrami ka kritikuar gjithashtu atë që e ka quajtur standard të dyfishtë të disa politikanëve, duke thënë se qëndrimet e tyre ndryshojnë varësisht nga pozita që mbajnë.
Reagimi i saj vjen pas deklaratave të Vjosa Osmani-Sadriut në seancën e sotme të Kuvendit, ku kjo e fundit kritikoi Lëvizjen Vetëvendosje për, siç tha, ndërrimin e oligarkëve dhe të “bosave të biznesit”.
Osmani kishte rikujtuar se në vitin 2020 kishte qenë ndër zërat më kritikë ndaj ndarjes së fondeve për bizneset, ndërsa kishte akuzuar pushtetin aktual se kishte zëvendësuar oligarkët e dikurshëm me të tjerë.
“Ju veç i keni ndërru bosat e krimit, i keni ndërru oligarkët. Oligarkët i kanë kontrollu ata përpara, oligarkët fatkeqësisht po ju kontrollojnë edhe juve”, kishte deklaruar Osmani, duke iu drejtuar deputetëve të LVV-së.
Ajo në fund u kishte bërë thirrje që të lënë anash arsyetimet dhe të fillojnë punën për vendin.
“Bëjani Kosovës një nder. Fillojani me punu – boll më me arsyetime”, kishte thënë Osmani.





