Zvicra ka investuar rreth 1.26 miliardë franga gjatë vitit 2025 për mirëmbajtjen e autostradave dhe rrugëve nacionale, me qëllim të ruajtjes së sigurisë dhe funksionalitetit të infrastrukturës rrugore.

Sipas raportimit të transmetuesit publik zviceran SRF, rrjeti rrugor nacional, me një gjatësi prej rreth 2.250 kilometrash, vazhdon të jetë në gjendje të qëndrueshme.
Të dhënat e publikuara nga Zyra Federale e Rrugëve (ASTRA) tregojnë se 91% e infrastrukturës së kontrolluar ndodhet në gjendje të mirë ose të pranueshme.
Vlerësimi i përgjithshëm i rrjetit ishte 1.81, në një shkallë nga 1, që nënkupton gjendje të mirë, deri në 5, që paraqet gjendje alarmante. Ky vlerësim mbetet i pandryshuar krahasuar me vitin paraprak.
Gjendja më e mirë është evidentuar te sipërfaqet e rrugëve, ku 97% e tyre janë vlerësuar në gjendje të mirë ose mesatare, transmeton Telegrafi.
Ndërkaq, mbi 17 mijë objekte infrastrukturore, përfshirë ura dhe galeri, kanë marrë vlerësimin 1.95, ndërsa tunelet 2.09.
Megjithatë, autoritetet kanë identifikuar tri tunele në gjendje të dobët: tunelin Solis dhe tunelin Passmal në kantonin e Graubündenit, si dhe tunelin Schwarzwald në Basel-Stadt. Sipas ASTRA-s, punimet për sanimin e këtyre objekteve kanë nisur ose janë planifikuar.
Mirëmbajtja e rrjetit rrugor po bëhet gjithnjë e më sfiduese, pasi shumë segmente të autostradave janë ndërtuar para disa dekadash dhe kërkojnë ndërhyrje të mëdha, ndërkohë që trafiku vazhdon të rritet.
Autoritetet paralajmërojnë se edhe kufizimet e vogla në qarkullim mund të shkaktojnë kolona të gjata në zonat me ngarkesë të lartë trafiku.
Për periudhën 2026–2030, Qeveria Federale e Zvicrës planifikon të investojë mesatarisht 1.19 miliardë franga në vit për mirëmbajtjen dhe ruajtjen e vlerës së rrugëve nacionale.
Këto investime financohen tërësisht nga taksat dhe tarifat e dedikuara që paguhen nga përdoruesit e rrugëve./Telegrafi/





