Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të bëjë publike shumën e mjeteve që vendi mund t’i ketë humbur nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, për shkak të mosrealizimit të reformave brenda afatit të përcaktuar.

Bajrami ka thënë se Qeveria mund ta ketë tashmë raportin e Komisionit Evropian për vlerësimin e përmbushjes së reformave në kuadër të agjendës së reformave ekonomike, por se i njëjti nuk është bërë publik, raporton Klankosova.tv
“Kam ngritur çështjen e humbjes potenciale të mjeteve nga Plani i Rritjes. Besoj që Qeveria, edhe pse s’po e bën publike, e ka raportin e Komisionit Evropian, për vlerësimin e përmbushjes së reformave, në kuadër të agjendës për reforma ekonomike. Kemi dëgju deklarata të ndryshme, nga zoti Zulfaj, edhe nga kryeministri Kurti, për humbjen potenciale, njëri thotë për rreth 60 milionë euro, tjetri thotë për 40 milionë euro. Kërkoj nga kabineti, t’iu tregojnë qytetarëve, se sa ka humbur Kosova, meqenëse gjashtë nga 13 reformat, nuk janë përmbushur, në afatin e 30 qershorit.”
Deputetja e LDK-së ka rikujtuar edhe periudhën e kaluar qeverisëse, kur Kosova ishte për 960 ditë nën masa ndëshkuese të Bashkimit Evropian.
“Mos të harrojmë që mandatin e kaluar, për 960 ditë, kemi qenë nën masa ndëshkuese nga Bashkësia Evropiane dhe janë qindra milion euro projekte të humbura dhe të shtyra, për shkak të mos koordinimit të duhur me akterë të BE-së.” /Klankosova.tv




