Punëtorët teknikë të Qendrave të Mjekësisë Familjare (QMF) dhe të Komunës së Vitisë nuk kanë marrë pagat për katër muaj rresht.

Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, i cili përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se ka dëgjuar shqetësimet e këtyre punëtorëve.
Ai ka bërë të ditur se, pas takimit me punëtorët, sindikata ka propozuar ndërprerjen e punës nga dita e hënë, propozim ky që, sipas tij, është miratuar njëzëri.
“Pas dëgjimit të shqetësimeve të tyre, Sindikata u propozoi një masë konkrete, e cila u miratua njëzëri: nga dita e hënë, këta punëtorë nuk do të paraqiten në vendet e tyre të punës deri në shlyerjen e plotë të të gjitha obligimeve financiare ndaj tyre”, ka shkruar Azemi.
Ai e ka cilësuar të papranueshme situatën në të cilën, sipas tij, punëtorët mbeten pa paga për katër muaj, ndonëse vazhdojnë t’i kryejnë detyrat dhe përgjegjësitë e tyre.
“Është e papranueshme që punëtorët të mbeten pa paga për katër muaj, ndërkohë që ata vazhdojnë të kryejnë detyrat dhe përgjegjësitë e tyre”, ka theksuar Azemi. /Telegrafi/




