Aleanca për Shqiptarët ka reaguar ndaj ndalimit të përfaqësuesit studentor Besar Sejdiu, për të cilin u raportua se është ndaluar në pikën kufitare “Bllacë”.

“ASH shpreh shqetësim të thellë për rastin e raportuar të ndalimit të përfaqësuesit studentor Besar Sejdiu në pikën kufitare të Bllacës, si dhe pretendimet se ai është vendosur në një listë për kontrolle të veçanta, pa asnjë shpjegim të qartë. Është e papranueshme që një përfaqësues studentor, i cili angazhohet për të drejtat e studentëve shqiptarë, të përballet me trajtime të tilla pa transparencë institucionale. Ky rast ngre dyshime serioze për presion ndaj zërit kritik studentor”.
“Kërkojmë nga Ministria e Punëve të Brendshme të sqarojë menjëherë kush e ka urdhëruar këtë kontroll, mbi çfarë baze ligjore është ndërmarrë dhe nëse ekziston ndonjë lidhje me angazhimin publik të Sejdiut. Studentët nuk janë armiq të shtetit dhe institucionet nuk guxojnë të përdoren për t’i frikësuar ata”, thonë nga ASH.
Ndaj ndalimit të Besar Sejdiut, reagoj edhe Lëvizja Studentore, prej kur thanë se ky veprim ngre dyshime serioze për presion të qëllimshëm institucional ndaj përfaqësuesve studentorë dhe përpjekje për t’i frikësuar e zbrapsur studentët nga kërkesat e tyre legjitime.
“Veçimi dhe shoqërimi i një përfaqësuesi studentor në ambientet e brendshme të policisë kufitare, pa një arsyetim të qartë, nuk mund të kalohet në heshtje”, thanë nga Lëvizja Studentore.





