Asamblisti i Kuvendit Komunal të Prishtinës, Kreshnik Smajlaj, ka reaguar pas miratimit të propozimit për mbështetje financiare të familjeve të fëmijëve dhe personave me autizëm dhe sindromën Down, duke e cilësuar votën e tij si një hap drejt një shoqërie më solidare dhe humane.

Përmes një postimi, Smajlaj bëri të ditur se propozimi parasheh ndihmë mujore prej 200 eurosh për familjet me të hyra deri në 1,200 euro, dhe 150 eurosh për ato me të hyra mbi këtë shumë. Edhe pse pranoi se këto shuma nuk i mbulojnë plotësisht shpenzimet e përditshme të këtyre familjeve, ai e vlerësoi nismën si një pikënisje të rëndësishme institucionale.
Postimi i tij i plotë:
Vota ime pro propozimit për mbështetje financiare të familjeve të fëmijëve dhe personave me autizëm dhe sindromën Down është votë për një shoqëri më të drejtë, më humane dhe më solidare.
Propozimi parasheh mbështetje financiare si në vijim:
• 200 € çdo muaj për familjet me të hyra deri në 1,200 €.
• 150 € çdo muaj për familjet me të hyra mbi 1,200 €.
Ndonëse këto shuma nuk janë optimale në raport me nevojat reale dhe shpenzimet e përditshme të këtyre familjeve, e konsideroj këtë një nismë të mirë dhe një hap të rëndësishëm drejt një përkujdesjeje më të madhe institucionale.
Këto familje meritojnë jo vetëm mirëkuptim, por edhe politika të qëndrueshme, mbështetje konkrete dhe shërbime që u garantojnë një jetë më dinjitoze.
Ky duhet të jetë fillimi i një angazhimi më të madh institucional dhe jo kufiri i mbështetjes sonë.
Në çështje të tilla, politika duhet të jetë mbi dallimet partiake dhe gjithmonë në shërbim të qytetarëve
Burimi: Insajderi





