Asamblisti i LVV-së në Prizren akuzon Totajn për keqpërdorim të subvencioneve, përmend 95 mijë euro për një OJQ

Asamblisti i LVV-së në Prizren akuzon Totajn për keqpërdorim të subvencioneve, përmend 95 mijë euro për një OJQ

Asamblisti i LVV-së në Prizren akuzon Totajn për keqpërdorim të subvencioneve, përmend 95 mijë euro për një OJQ

Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në Kuvendin Komunal të Prizrenit, Ilir Gashi, ka ngritur akuza për keqpërdorim të parasë publike përmes subvencioneve të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në këtë komunë.

Sponsor 3M Express

Përmes një postimi në Facebook, Gashi ka pretenduar se disa organizata joqeveritare, të cilat sipas tij kanë lidhje me persona të afërt me kryetarin e Prizrenit, Shaqir Totaj, kanë përfituar shuma të mëdha nga buxheti komunal, pavarësisht mungesës së përvojës së dëshmuar në realizimin e projekteve kulturore.

Në këtë kontekst, ai ka përmendur OJQ-në “Jetë e Gjelbër O2”, për të cilën pretendon se ka përfituar gjithsej 95 mijë euro në katër thirrjet e fundit të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport.

Sipas Gashit, kjo organizatë nuk kishte një përvojë të dëshmuar në aktivizimin publik para se të përfitonte subvencione nga Komuna e Prizrenit.

Ai ka veçuar vitin 2023, kur, sipas tij, Drejtoria për Kulturë kishte shpallur dy thirrje publike për subvencionimin e projekteve kulturore brenda një periudhe prej katër muajsh, me objektiva të njëjta.

Gashi ka pretenduar se organizata “Jetë e Gjelbër O2” ishte themeluar në periudhën ndërmjet këtyre dy thirrjeve dhe se në aplikimin e saj të parë kishte përfituar 20 mijë euro.

“Pa asnjë përvojë paraprake, pa ndonjë aktivitet të dëshmuar publik dhe pa një të kaluar në realizimin e projekteve, kjo shoqatë, në thirrjen e parë ku aplikon, përfiton 20 mijë euro”, ka shkruar Gashi.

Ai ka ngritur pikëpyetje edhe për projektin për të cilin organizata kishte përfituar subvencionin, duke pretenduar se ai nuk përputhej me objektivat e thirrjes publike dhe natyrën e veprimtarisë së shoqatave që synohej të mbështeteshin.

Asamblisti i LVV-së ka kërkuar sqarime për mënyrën e vlerësimit të aplikimeve, kriteret e përdorura dhe përzgjedhjen e përfituesve të subvencioneve.

“Kush i vlerësoi këto projekte? Cilat kritere u përdorën? Dhe a po shpërndahen subvencionet në bazë të meritës, apo në bazë të afërsisë me pushtetin?”, ka pyetur ai.

Gashi i është drejtuar edhe kryetarit të Prizrenit, Shaqir Totaj, duke kërkuar përgjegjësi për mënyrën e shpërndarjes së mjeteve publike.

“95 mijë euro të taksapaguesve prizrenas nuk janë pak. Dhe askush nuk ka të drejtë t’i trajtojë si para të veta për t’i shpërndarë sipas interesave të klaneve”, ka shkruar ai.

Në fund, Gashi ka bërë të ditur se do të vazhdojë t’i publikojë rastet që, sipas tij, paraqesin keqpërdorim të subvencioneve, ndërsa ka shprehur pritjen që edhe organet e hetuesisë dhe të drejtësisë t’i trajtojnë këto çështje. /Telegrafi/

Lexo edhe

Bora e madhe paralizon trafikun në Slloveni, mbyllet një autostradë kryesore

Bora e madhe paralizon trafikun në Slloveni, mbyllet një autostradë kryesore

Jashari dekorohet me medaljen “Nderi i Forcave të Armatosura” në Shqipëri

Jashari dekorohet me medaljen “Nderi i Forcave të Armatosura” në Shqipëri

Lapidari i Jakup Krasniqit merr jetë në Negroc, Altin Krasniqi: Drejtësia do të triumfojë (VIDEO)

Lapidari i Jakup Krasniqit merr jetë në Negroc, Altin Krasniqi: Drejtësia do të triumfojë (VIDEO)