Asamblisti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Deçan, Ndriçim Çekaj, ka kundërshtuar paralajmërimin për rritjen e tarifës së mbeturinave në këtë komunë, nga gjashtë në nëntë euro.

Përmes një postimi në Facebook, Çekaj ka vlerësuar se një vendim i tillë do të përbënte barrë shtesë për qytetarët, në një kohë kur, sipas tij, çmimet e produkteve dhe shërbimeve po vazhdojnë të rriten.
Ai ka kritikuar udhëheqjen komunale, duke thënë se arsyetimi për rritjen e kostove të kompanisë nuk qëndron, pasi sipas tij, ndërmarrja komunale “Higjiena” është ngarkuar me punësime partiake dhe familjare.
“Arsyetimet se rritja e çmimit të faturës po bëhet për shkak të rritjes së çmimeve të shpenzimeve të kompanisë nuk qëndron, sepse për këto pushteti i Aleancës do të duhej të mendonte më herët, atëherë kur ndërmarrjen ‘Higjiena’ vendosën ta kthejnë në çerdhe të punësimit të militantëve të partisë, e besa edhe familjarëve të ngushtë”, ka shkruar Çekaj.
Sipas tij, një administratë më e vogël do të mundësonte shërbime më të mira, trajtim më dinjitoz për punëtorët operativë dhe përmbushjen e obligimeve financiare të kompanisë.
Çekaj ka përmendur edhe rastin e deponisë ilegale në fshatin Hulaj, për të cilën ka pretenduar se ndërmarrja komunale ka marrë dënim për veprimtari ilegale.
“Prandaj dështimet tuaja kronike nuk është e drejtë t’ua faturoni qytetarëve”, ka theksuar ai.
Në fund, asamblisti i LDK-së i ka bërë thirrje kryetarit të Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, që ta tërheqë propozimin për rritjen e tarifës.
“Kthejeni prapa atë vendim, propozim, apo rregullore a çfarëdo qoftë, sepse si i tillë ua rrit barrën qytetarëve të Deçanit, në një kohë kur po e paguajmë shtrenjtë për luksin tuaj të drekave, darkave e derivatet e veturave”, ka shkruar Çekaj.
Ndryshe, kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka paralajmëruar rritjen e tarifës së mbeturinave nga gjashtë në nëntë euro, me arsyetimin e kostove të kompanisë. /Telegrafi/




