Një shtetas ukrainas është arrestuar në Gjermani, nën dyshimin për spiunazh në favor të Rusisë, njoftoi Prokuroria Federale gjermane.

I dyshuari, i identifikuar nga prokurorët si Vadym Y., u ndalua në landin e Brandenburgut. Sipas autoriteteve, ai dyshohet se kishte qenë në kontakt me një shërbim sekret rus përmes një ndërmjetësi, të paktën që nga korriku i vitit 2025, transmeton Telegrafi.
Prokuroria pretendon se ai kishte mbledhur informacione ushtarake, përfshirë të dhëna mbi prodhimin e automjeteve të blinduara, municioneve dhe eksplozivëve, si dhe informacione për personelin dhe instalimet ushtarake në zona të rëndësishme për mbrojtjen e krahut lindor të NATO-s.
Sipas njoftimit, një pjesë e informacionit ishte e qasshme publikisht, ndërsa të dhëna të tjera dyshohet se ishin siguruar nga persona që punojnë në industrinë evropiane të mbrojtjes.
Vadym Y. pritet të paraqitet para gjyqtarit hetues në Gjykatën Federale të Drejtësisë të Gjermanisë, i cili do t’i komunikojë urdhër-arrestin dhe do të vendosë për zbatimin e paraburgimit.
Akuzat ndaj tij mbeten pretendime të prokurorisë dhe çështja do të trajtohet nga autoritetet gjyqësore. /Telegrafi/




