Operacioni policor është zhvilluar me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale të Kosovës, me pjesëmarrjen e hetuesve të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike, njësive të tjera policore, Njësisë Speciale (FIT) dhe AKI-së.
Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale, aksioni është realizuar në katër lokacione të ndryshme, ku tre të dyshuar janë arrestuar në flagrancë.

Gjatë kontrolleve janë sekuestruar 19 vetura, një motoçikletë, gjashtë telefona, pesë kompjuterë, gjashtë USB, si dhe 4 mijë e 95 euro para të gatshme. Po ashtu, është gjetur edhe 11.28 gramë substancë e dyshuar narkotike dhe dokumente të ndryshme që mund të shërbejnë si prova në këtë rast.
Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se të dyshuarit dyshohet se kanë përdorur sistemet kompjuterike, komunikimet elektronike dhe telefonike për të kontaktuar persona të ndryshëm, kryesisht shtetas të huaj, të cilët i kanë mashtruar përmes platformave të rreme të investimit.
Në njoftimin zyrtar thuhet se të dyshuarit “i kanë vënë në lajthitje dhe i kanë nxitur të investojnë në platforma të rreme investimi, duke i shtyrë të ndërmarrin veprime në dëm të pasurisë së tyre”.
Rasti është duke u hetuar nga Prokuroria Speciale në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, me qëllim të zbardhjes së plotë të dyshimeve dhe identifikimit të të gjitha rrethanave të përfshirjes së personave të dyshuar.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, do të vazhdojë ndërmarrjen e veprimeve hetimore me qëllim të zbardhjes së plotë të rastit”, thuhet në njoftim.
Të arrestuarit dyshohen për veprat penale të pjesëmarrjes ose organizimit të grupit kriminal të organizuar, mashtrimit dhe shpëlarjes së parave. Hetimet janë në vazhdim.
Burimi: RTKLive





