Biznesmeni, Behgjet Pacolli, ka reaguar përmes një postimi në Facebook pas arrestimit të dy personave të dyshuar për mashtrim me grantet e BE-së, duke thënë se të arrestuarit kanë punuar ngushtë si vartës të Valon Llukës.

Pacolli ka akuzuar Llukën se ka dëmtuar rëndë kompaninë “Hirano“ me seli në Mitrovicë, duke pretenduar se ai ka keqpërdorur dhe vjedhur fondet e Bashkimit Evropian të dedikuara për ndërtimin e fabrikës.
Më tej, Pacolli deklaroi se skema e mashtrimit të Llukës shtrihet nga kompania “Hirano“ e deri te projekti i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, duke u bërë thirrje organeve të hetuesisë që të kryejnë hetime të gjithanshme për secilin projekt ku figuron emri i tij.
Pas akuzave të Pacollit, ka reaguar Lluka, duke deklaruar se kërkon hetim të plotë e të paanshëm nga organet e drejtësisë, ndërsa paralajmëroi masa ligjore për ato që ai i ka cilësuar si shpifje.
Lluka ka deklaruar se e drejta për të parashtruar kallëzim penal është legjitime, mirëpo gjyqi publik dhe përdorimi i hapësirës mediatike për të shpallur dikë fajtor pa vendim gjyqësor është i papranueshëm.
Ai ka thënë se heshtja e tij e deritanishme nuk ishte mungesë argumentesh, por zgjedhje për të ndjekur rrugën institucionale.
Postimi i plotë i Llukës:
“Drejtësia nuk bëhet përmes gjyqeve publike dhe fushatave të vazhdueshme të akuzave.
Prej një kohe të gjatë jam bërë objekt i deklaratave dhe akuzave publike nga z. Behgjet Pacolli, i cili vazhdon ta përmendë emrin tim dhe të më atribuojë përgjegjësi për çështje që janë objekt i procedurave ligjore.
Dua ta bëj shumë të qartë: I hedh poshtë kategorikisht pretendimet se kam kryer mashtrime, përvetësime apo veprime të tjera të paligjshme.
Nuk mund të pranoj që përmes deklaratave të përsëritura publike të tentohet të ndërtohet një narrativë fajësie ndaj meje, presion mbi organet për zbatim te ligjit, përpara se institucionet e drejtësisë të kenë dhënë një vendim përfundimtar.
Është veçanërisht shqetësuese kur arrestimi apo hetimi i personave të tjerë përdoret si pretekst për të më atribuuar mua përgjegjësi penale. Përgjegjësia është individuale dhe përcaktohet mbi bazën e provave, jo përmes asociimeve, interpretimeve të njëanshme apo deklaratave në rrjete sociale.
Gjatë karrierës sime kam ushtruar përgjegjësi të rëndësishme, kam drejtuar projekte dhe kam punuar me përkushtim të plotë. Për punën dhe vendimet e mia ekziston dokumentacion, komunikime dhe prova të cilat do të paraqiten pranë institucioneve kompetente.
Askush, pavarësisht pozitës, ndikimit publik apo fuqisë ekonomike, nuk ka të drejtë ta zëvendësojë drejtësinë me gjykime personale dhe të dëmtojë reputacionin e tjetrit përmes akuzave të pavërtetuara.
E drejta për të paraqitur kallëzim penal është legjitime. Por përdorimi i vazhdueshëm i hapësirës publike për të krijuar bindjen se një person është fajtor, pa një vendim gjyqësor, është diçka krejt tjetër.
Unë nuk i shmangem asnjë hetimi. Përkundrazi, kërkoj që çdo pretendim të hetohet në mënyrë të plotë, të pavarur dhe të paanshme, duke shqyrtuar të gjitha provat, përfshirë ato që kundërshtojnë akuzat ndaj meje.
Nga ky moment, çdo deklaratë publike që përmban pretendime të pavërteta dhe që cenon dinjitetin apo reputacionin tim do të dokumentohet dhe do të trajtohet përmes mjeteve përkatëse ligjore.
Heshtja ime deri më tani nuk duhet të interpretohet si mungesë argumentesh apo provash. Kam zgjedhur dhe vazhdoj të zgjedh rrugën institucionale, sepse besoj se e vërteta nuk përcaktohet nga ai që akuzon më shumë apo që ka zërin më të fuqishëm publik.
Reputacioni i ndërtuar me vite pune nuk mund të shkatërrohet përmes deklaratave të njëanshme.
Unë do të mbroj emrin tim, dinjitetin tim dhe të vërtetën, me vendosmëri dhe deri në fund”.
Kujtojmë se sot Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për keqpërdorimin e 62 mijë e 902 eurove nga dy grante ndërkombëtare me vlerë të përgjithshme prej mbi 575 mijë eurosh. Sipas këtij organi, të arrestuarit dyshohet se kanë paraqitur raporte të rreme financiare për blerjen e makinerive, duke pretenduar rrejshëm se shpenzimet ishin realizuar plotësisht.
Veriu.info raporton se të arrestuarit janë Hasan Lahu, ish-drejtor në fabrikën “Hirano Mushroom L.L.C”, si dhe Taulant Murati, i cili ka bashkëpunuar me këtë ndërmarrje përmes shërbimeve të konsulencës. Ndërmarrja në fjalë lidhet me biznesmenin Behgjet Pacolli, i cili zotëron 43% të aksioneve.
Burimi: Insajderi





