Një qytetar nga Deçani ka përjetuar momente frike të dielën, kur gjatë mbledhjes së gështenjave në afërsi të një maje mbi fshatin Pobërgjë, është përballur me një ari të madh.

Sejdi Tolaj ka treguar se ariu iu shfaq rreth 10 metra larg tij dhe një familjari, të cilët në atë moment po mblidhnin gështenja.
Sipas tij, familjari që ndodhej rreth shtatë deri në tetë metra larg e njoftoi për praninë e ariut. Të shqetësuar nga situata, ata vendosën të largoheshin me vrap përmes një përrocke.
“Vrapuam për afërsisht 20 minuta dhe, fatmirësisht, ariu nuk na ndoqi. Shpëtuam pa pasoja!”, ka shkruar Tolaj.
Ai ka paralajmëruar qytetarët që dalin për të mbledhur gështenja në këtë rajon që të kenë kujdes të shtuar dhe të mos shkojnë vetëm.




