Kombëtarja e Argjentinës ka marrë një vendim të veçantë për fanellën me numrin 10, të cilën për shumë vite e ka bartur legjenda Lionel Messi.

Sipas raportimeve të mediumit argjentinas “TyC Sports”, askush nuk do ta mbajë këtë numër gjatë ndeshjeve miqësore të muajit nëntor, pasi stafi i përzgjedhësit Lionel Scaloni ka vendosur që fanella ikonike të mbetet e papërdorur.
Vendimi lidhet me të ardhmen ndërkombëtare të Messit dhe dëshirën për të mos ia dhënë menjëherë numrin një futbollisti tjetër.
Një pasardhës zyrtar pritet të përcaktohet në vitin e ardhshëm, kur të nisin kualifikimet e Amerikës së Jugut për Kupën e Botës 2027, duke i dhënë kohë federatës për të marrë një vendim.
Në garë për ta trashëguar këtë fanellë është përfshirë edhe Nico Paz, mesfushori ofensiv i Comos, i cili ka lënë përshtypje me paraqitjet e tij si në klub, ashtu edhe në përfaqësuese.
Madje, bashkëlojtari i tij Valentin Barco e ka mbështetur publikisht Pazin për ta marrë këtë numër, duke vlerësuar talentin dhe paraqitjet e tij.
Megjithatë, ai nuk është kandidati i vetëm. Alexis Mac Allister i Liverpoolit, Enzo Fernandez i Chelseat dhe Franco Mastantuono i Real Madridit janë emra të tjerë që mund të marrin fanellën e famshme në të ardhmen.
Për momentin, numri 10 do të mbetet pa pronar, në pritje të futbollistit që do ta trashëgojë njërën prej fanellave më ikonike në historinë e futbollit argjentinas./Telegrafi/




