Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë me të cilin Naim Murseli u dënua me burgim të përjetshëm për vrasje të rëndë në bashkëkryerje të bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj, duke refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtjes.

Sipas arsyetimit të Apelit, të siguruar nga Insajderi, përfshirja e Murselit nuk ka mbetur vetëm te hartimi i planit paraprak dhe sigurimi i armës, por ka vijuar me veprime të drejtpërdrejta në natën kritike, ku ai e ka mbajtur viktimën për krahu në mënyrë që goditja me armë zjarri të jetë e saktë, çka gjykata e trajtoi si element të dinakërisë.
Në vendimin e Apelit vëhet në pah se gjykata e shkallës së parë ka vërtetuar drejt se Murseli, për shkak të raporteve të çrregulluara bashkëshortore dhe motivit të përfitimit material, ka planifikuar eliminimin e Liridona Ademajt, e ka sjellë atë në vendin e ngjarjes së bashku me dy fëmijët e tyre të moshës 4 dhe 6 vjeç dhe, pasi ka ndaluar veturën dhe i ka dhënë shenjë me drita Granit Plavës, e ka mbajtur të ndjerën me dorën e tij për krahu derisa Plava ka shtënë me armë zjarri në drejtim të saj.
Këto rrethana, sipas arsyetimit gjyqësor, mbështeten në dëshminë e vëllait të Liridonës, Leonard Ademajt, i cili i ka deklaruar ato bazuar në atë që ka dëgjuar nga fëmija i viktimës që ishte i pranishëm në vendngjarje në momentin e të shtënës, si dhe në ekspertizën mjekoligjore dhe deklaratën e ekspertit Naim Uka, ku konfirmohet ndrydhja në krahun e viktimës në përputhje me rrëfimin e të dëmtuarit.
Apeli vlerëson se ky veprim i Murselit, së bashku me sjelljen e tij në vendngjarje, plotëson elementin e dinakërisë si formë kualifikuese e vrasjes së rëndë, ndërsa mënyra e kryerjes së veprës në prani të fëmijëve, shkalla e lartë e dashjes dhe mungesa e çfarëdo rrethane lehtësuese që do të peshonte përballë këtyre fakteve e bëjnë dënimin me burgim të përjetshëm të drejtë dhe të ligjshëm.
Apeli ka konstatuar se shkalla e parë ka marrë parasysh deklaratat e Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të cilët në mbrojtjen e tyre kanë mohuar kryerjen e veprave penale, “por, jo faktet dhe rrethanat, pra, se të akuzuarit Naim Murseli dhe Granit Plava se si ishin së bashku në vendin e ngjarjes, kur, është privuar nga jeta tani e ndjera Liridona Ademaj“, si dhe takimet e tyre të konfirmuara edhe nga deklaratat e Granit Plavës.
Burimi: Insajderi





