Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka reaguar pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke bërë thirrje për forcimin e përpjekjeve institucionale në parandalimin e dhunës me bazë gjinore dhe mbrojtjen e grave të rrezikuara.

Përmes një komunikate, ambasada ka shprehur ngushëllime për familjarët dhe të afërmit e viktimës, duke theksuar se femicidi mbetet një sfidë serioze shoqërore që kërkon reagim të vazhdueshëm dhe të koordinuar.
“Kjo tragjedi e dhimbshme shërben si një kujtesë e fortë se femicidi nuk është një rast i izoluar, por mbetet një sfidë serioze shoqërore si shfaqja më ekstreme e dhunës ndaj grave, e cila kërkon një përgjigje të vazhdueshme dhe të koordinuar”, thuhet në reagimin e ambasadës.
Sipas përfaqësisë diplomatike gjermane, garantimi i sigurisë së grave që përballen me rrezik duhet të mbetet prioritet i përbashkët, përmes masave parandaluese, ndërhyrjes në kohë të institucioneve dhe ofrimit të shërbimeve mbështetëse.
Ambasada ka rikujtuar gjithashtu detyrimet e Kosovës që burojnë nga Konventa e Stambollit për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.
“U bëjmë thirrje të gjithë akterëve përkatës që të vazhdojnë të forcojnë përpjekjet për të parandaluar dhunën me bazë gjinore, për të zbatuar mekanizmat ekzistues të mbrojtjes dhe për të nxitur një kulturë në të cilën dhuna nuk tolerohet dhe as nuk shpërfillet”, theksohet në komunikatë.
Ambasada gjermane ka nënvizuar se e drejta e çdo gruaje për të jetuar e lirë nga frika dhe dhuna duhet të mbrohet përmes angazhimit të përbashkët dhe veprimeve konkrete.
Arlinda Zekaj u vra të dielën në Vitomiricë të Pejës. Sipas informacioneve të raportuara, i dyshuar për vrasjen është ish-kunati i saj, i cili vazhdon të jetë në arrati.




