Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka reaguar publikisht duke ngritur shqetësimin për atë që e ka cilësuar si një nivel të ri agresioni nga ana e Rusisë në kontinentin evropian, pas një sërë incidentesh të raportuara në disa shtete gjatë ditëve të fundit.

Përmes një deklarate në rrjetet sociale, Macron u shpreh se aleatët dhe partnerët evropianë po përballen me ngjarje që, sipas tij, dëshmojnë përshkallëzimin e veprimeve të Moskës përtej kufijve të Ukrainës. Ai dënoi këto veprime, duke vlerësuar se intensifikimi i luftës kundër Ukrainës dhe veprimtaria e saj në territorin europian përbëjnë një rrezik të papërgjegjshëm për sigurinë e kontinentit.
Deklaratat e kreut të shtetit francez vijnë pas raportimeve për shkelje të hapësirës ajrore, tentativa të dyshuara sabotimi dhe kërcënime ndaj individëve të lidhur me Ukrainën në disa vende evropiane.
Një nga zhvillimet kryesore u regjistrua në Poloni, ku autoritetet vendase njoftuan se kanë rrëzuar dy raketa ruse dhe një dron me motor reaktiv në territorin polak. Ky incident nxiti reagime nga vendet anëtare të NATO-s dhe rriti shkallën e vigjilencës në krahun lindor të Aleancës. Në të njëjtën kohë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, zhvilloi një vizitë zyrtare në Varshavë, ku në qendër të diskutimeve ishte siguria e Polonisë dhe e rajonit.
Masa parandaluese janë ndërmarrë edhe nga Estonia, autoritetet e së cilës njoftuan pezullimin e kalimeve rrugore me Rusinë, me qëllim shmangien e incidenteve të mundshme në zonën kufitare.
Ndërkohë, sulmet ruse në Ukrainë kanë vijuar me intensitet të lartë. Sipas raportimeve, mes infrastrukturës së goditur janë edhe ura me rëndësi strategjike mbi lumin Dnieper, të cilat shërbejnë si nyje kryesore për transportin dhe logjistikën në vend.
Në përmbyllje të reagimit të tij, Macron shprehu solidaritetin e Francës me vendet e prekura, duke shtuar se veprimet e Moskës rrezikojnë të thellojnë izolimin ndërkombëtar të Rusisë dhe të forcojnë unitetin mes vendeve evropiane.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





